Udhëheqësit e Procesit të Berlinit mblidhen në Budva, të ftuar edhe Kurti e Rama
Liderët dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve evropiane dhe institucioneve ndërkombëtare do të mblidhen pasnesër në Miloçer të Budvës, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Sipas listës së publikuar nga Qeveria e Malit të Zi, në mesin e pjesëmarrësve do të jenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në samit do të marrë pjesë edhe komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila do të qëndrojë në Mal të Zi të mërkurën dhe të enjten, ku krahas pjesëmarrjes në samit do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve malazeze dhe rajonale.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, Kos do të takohet të mërkurën me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, për të diskutuar përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më pas, ajo do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, me të cilin do të diskutojë agjendën evropiane të vendit dhe rëndësinë e dialogut politik për avancimin e reformave.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, komisionarja evropiane do të zhvillojë bisedime edhe me përfaqësues të partive opozitare, ndërsa pasdite do të takohet me kryeministrin Milojko Spajiq për të shqyrtuar përparimin e reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE.
Të enjten, Kos do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, ku në fokus do të jenë bashkëpunimi rajonal, ndërlidhja dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Mediat malazeze raportojnë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me Kosin për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë.
Në kuadër të samitit, ajo do të takohet edhe me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, për të diskutuar investimet dhe mbështetjen për zhvillimin rajonal dhe integrimin evropian.
Sipas listës së publikuar nga Qeveria e Malit të Zi, në mesin e pjesëmarrësve janë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, si dhe përfaqësues të tjerë të vendeve të rajonit dhe institucioneve ndërkombëtare.
Në listë përfshihen gjithashtu përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe organizatave të tjera rajonale e ndërkombëtare.
Lista e pjesëmarrësve në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit
Sipas informacioneve të fundit, në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit do të marrin pjesë:
– Dimitrios Karabalis, drejtor i përgjithshëm për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
– Djuro Macut, kryeministër i Serbisë.
– Friedrich Merz, kancelar i Gjermanisë.
– Thomas Byrne, ministër i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen.
– Tone Kajzer, ministër i Punëve të Jashtme.
– Steëart Martin Ëood, Lord i Anfieldit, nënsekretar parlamentar i Shtetit.
– Benjamin Haddad, ministër i deleguar për Evropën.
– Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
– Antonio Tajani, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
– Borjana Krishto, kryetare e Këshillit të Ministrave.
– Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
– Atanas Pekanov, zëvendëskryeministër.
– Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
– Christian Stocker, kancelar i Austrisë.
– Marcin Bosacki, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
– Andrej Plenkovic, kryeministër i Kroacisë.
– Marta Kos, komisionare evropiane për Zgjerim.
– Odile Renaud-Basso, presidente e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
– Frantisek Ruzicka, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
– Xiaoqing Yu, drejtor i divizionit për Ballkanin Perëndimor në Grupin e Bankës Botërore.
– Amer Kapetanoviq, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
– Vladimir Obradović, sekretar i përgjithshëm i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).
– Pranvera Kastrati, drejtoreshë e Sekretariatit të CEFTA-s.
– Robert de Groot, zëvendëspresident i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI).
– Artur Lorkoëski, drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
– Talis Linkaits, drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit.
– Feridun H. Sinirlioğlu, sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
– Johanne Boehmer, zëvendësguvernatore e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës.
– Albert Hani, drejtor i Sekretariatit të Nismës Rajonale Kundër Korrupsionit.
– Boban Ilic, sekretar i përgjithshëm i Grupit të Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rural në Evropën Juglindore.
– Gjergj Murra, drejtor ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor.
– David Piegazki, sekretar i përgjithshëm i Forumit të Investimeve të Dhomave të Tregtisë të Ballkanit Perëndimor 6.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.