UKRAINË – Dhjetë të vdekur pas sulmit rus ndaj anijes së mallrave në brigjet e Odesës
– Një sulm rus me raketa ndaj një anijeje që transportonte misër pranë portit të Odesës, në jug të Ukrainës ka shkaktuar vdekjen e 10 personave, njoftuan sot autoritetet ukrainase, sipas “Reuters”.
Ky është sulmi më vdekjeprurës në javët e fundit të përplasjeve në Detin e Zi.
Anija “Golden Leo”, me flamur të Guinesë-Bisau dhe me ekuipazh nga India dhe Siria, u godit dje nga tre raketa ruse, duke shkaktuar zjarr në bord.
Sipas autoriteteve ukrainase, në operacionin e shpëtimit, që zgjati gjithë natën, u gjetën të vdekur nëntë anëtarë të ekuipazhit dhe një pilot detar ukrainas, ndërsa tetë persona u shpëtuan.
Sulmi ndodhi pranë një prej porteve më të rëndësishme të Ukrainës, ndërsa një tjetër sulm rus ndaj qytetit të Odesës, vrau tre persona dhe plagosi tre të tjerë.
Autoritetet thanë se u goditën objekte infrastrukturore, pa dhënë detaje të tjera.
Përshkallëzohet lufta për rrugët detare
Deti i Zi është kthyer sërish në një zonë të rëndësishme të konfliktit, pasi Rusia dhe Ukraina kanë rritur sulmet ndaj infrastrukturës detare dhe burimeve ekonomike të njëra-tjetrës.
Rusia po intensifikon sulmet ndaj porteve ukrainase dhe anijeve të mallrave, ndërsa Ukraina ka goditur infrastrukturën energjetike ruse, përfshirë anijet cisternë me naftë.
Të dyja vendet janë eksportues të mëdhenj të grurit dhe misrit, ndaj sulmet në këtë korridor detar, kanë rritur shqetësimet për furnizimet globale me ushqime.
Ukraina ka humbur një pjesë të madhe të kapacitetit të saj për eksportin e grurit përmes porteve të Detit të Zi, për shkak të sulmeve me raketa dhe dronë.
Ndërkohë, sulmet ukrainase kanë detyruar Rusinë të kufizojë transportin në Detin Azov, një rrugë e rëndësishme për eksportet e saj të grurit.
Sulmi ndaj “Golden Leo” shënon një tjetër goditje ndaj tregtisë detare në Detin e Zi, duke rritur frikën për ndikimin e luftës në çmimet globale të ushqimeve dhe energjisë. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.