UKRAINË – Zelensky kërkon raketa “Patriot” pas sulmit masiv rus ndaj Kievit
KIEV, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje urgjente për furnizimin e Ukrainës me raketa për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”, pas një prej sulmeve më të rënda ruse ndaj Kievit dhe zonave përreth.
Sulmi i fundit me raketa dhe dronë shkaktoi të paktën 16 viktima dhe plagosi dhjetëra persona.
Autoritetet ukrainase raportuan dëme të mëdha në kryeqytet dhe në rajonin përreth, ndërsa shërbimet e emergjencës vijuan punën në zonat e goditura.
Sipas presidenetit Zelensky, Rusia përdori një kombinim të gjerë armësh, përfshirë raketa balistike, raketa të lundrimit dhe dronë. Mbi 200 objekte u dëmtuan, mes tyre 86 ndërtesa banimi, një spital pediatrik, objekte të infrastrukturës sociale dhe ndërtesa tregtare.
Presidenti ukrainas tha se mbrojtja kundër raketave balistike mbetet problemi më i madh për Ukrainën.
Ai theksoi se rreth 90% e raketave të lundrimit të përdorura gjatë sulmit u interceptuan, ndërsa situata me raketat balistike ishte shumë më e vështirë.
Në një deklaratë të mbrëmjes, Zelensky kërkoi që partnerët ndërkombëtarë të sigurojnë më shumë raketa për sistemet “Patriot”.
Sipas tij, Ukraina nuk po kërkon domosdoshmërisht armë si dhuratë, por është e gatshme t’i blejë ato, pasi nevoja për interceptues është bërë kritike.
“Raketat për ‘Patriotët’ janë të nevojshme dhe vetëm partnerët tanë mund t’i sigurojnë”, tha Zelensky, duke argumentuar se këto sisteme janë veçanërisht të rëndësishme për përballimin e raketave balistike, të cilat lëvizin me shpejtësi shumë të madhe dhe janë më të vështira për t’u interceptuar.
Sulmi goditi disa zona të Kievit, përfshirë lagjet Solomianskyi, Sviatoshynskyi dhe Darnytskyi.
Janë raportuar dëmtime në ndërtesa banimi, shkolla, një spital për fëmijë dhe objekte të tjera civile. Më shumë se 38 mijë banorë të Kievit, përfshirë mbi 2 mijë fëmijë, u strehuan gjatë natës në stacionet e metrosë.
Presidenti Zelensky paralajmëroi gjithashtu se Ukraina do t’i përgjigjet sulmit rus me goditje me rreze të gjatë veprimi.
Ai tha se kapacitetet ukrainase për sulme në distancë do të marrin më shumë burime.
Sulmi i fundit vjen në një periudhë kur Rusia ka intensifikuar përdorimin e raketave balistike dhe dronëve kundër Ukrainës, ndërsa Kievi po përballet me mungesë të raketave interceptuese Patriot.
Kjo mungesë po konsiderohet një nga dobësitë kryesore të mbrojtjes ajrore ukrainase, veçanërisht përballë raketave balistike ruse.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e nisur me pushtimin në shkallë të plotë në shkurt 2022, po hyn në një fazë të re përshkallëzimi të sulmeve ajrore.
Ndërkohë, Ukraina vazhdon të kërkojë nga aleatët perëndimorë më shumë sisteme dhe municione të mbrojtjes ajrore, ndërsa paralelisht po zgjeron përdorimin e armëve me rreze të gjatë kundër objektivave në territorin rus. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.