Veliaj dhe Spiropali do t’i bashkohen PD-së? Gjin Gjoni: Politika mund të bëjë çdo gjë të mundur
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka deklaruar se opozita është e gatshme të bashkëpunojë me çdo faktor politik që kontribuon në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Gjoni u pyet nëse në të ardhmen Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali mund t’i bashkohen Partisë Demokratike si deputetë.
Ndonëse nuk e konfirmoi një mundësi të tillë, demokrati theksoi se politika është art i të pamundurës. Ai kujtoi që në politikën shqiptare ka pasur raste kur persona që kanë qenë kundërshtarë të PD-së gjatë qeverisjes socialiste, më pas janë bërë pjesë e saj.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me çdo faktor të gatshëm për të kontribuar për largimin e Ramës. Politika shqiptare ka njohur raste kur njerëz që kanë qenë të egër gjatë qeverisjes së PS-së, janë bërë pjesë e PD-së. Politika është arti i të pamundurës. Gjithçka është e mundur të realizohet në politikën shqiptare”, u shpreh Gjoni.
Lidhur me mundësinë që Veliaj dhe Spiropali t’i bashkohen grupit parlamentar të PD, Gjoni tha: “Jo, nuk e thashë këtë, por politika është arti i të pamundurës. Për sa kohë që gjërat në Shqipëri shohin një dritë në fund të tunelit, sepse sot, nëpërmjet protestave dhe mobilizimit qytetar, daljes së qytetarëve, pjesës gri, por edhe partive opozitare, mendoj se pakënaqësia në popull, por edhe sipas sondazheve që PS dhe PD kanë, besueshmëria te mazhoranca e sotme ka rënë”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.