Veliaj nderon ish-ambasadorin Withers me Çelësin e Tiranës
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nderuar këtë të enjte ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, John L. Withers, me Çelësin e Tiranës.
Në ceremoninë e organizuar në bashkinë e kryeqytetit, Veliaj ka shprehur vlerësimet maksimale për diplomatin amerikan, i cili sipas tij ka bërë shumë për Shqipërinë.
“Kam kënaqësinë e veçantë që t’i dorëzoj Çelësin e Tiranës ish-ambasadorit Withers. Ambasadori Withers ka qenë një kritik i korrupsionit në Shqipëri dhe ka punuar për demokratizimin e vendit më shumë se disa nga ne”, ka thënë Veliaj.
Nga ana e tij, ish-ambasadori është shprehur i nderuar për këtë vlerësim që i jepet nga bashkia e kryeqytetit shqiptar.
“Ndihem shumë mirë që shumë miq shqiptarë kanë ardhur në këtë ceremoni. Është një nder marrja e çelësit të këtij qyteti kaq të dashur për mua”, ka thënë Withers.
Në ceremoni kanë qenë të pranishëm diplomatë, deputetë të Parlamentit shqiptar, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.