Kronika

Veliaj-Tarlos, monumenti i Skënderbeut do të vendoset në Budapest në krah të Janosh Huniadit

Monumenti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të vendoset në Budapest, ne vendin ku sot ngrihete dhe monumenti i Janosh Huniadit, heroit kombëtar hungarez.
Tirana dhe Budapesti do të thellojnë bashkëpunimin mes tyre në zbatimin e projekteve me rëndësi të përbashkët, veçanërisht në fushën e furnizimit me ujë të pijshëm, pastrimit, transportit publik, kulturës dhe turizmit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryetarin e Bashkisë së Budapestit, István Tarlós, të cilit në shenjë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy qyteteve, i dhuroi edhe “Çelësin e Qytetit”.

Dy homologët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për të punuar sëbashku në mjaft çështje me interes dhe rëndësi për dy kryeqytetet.

“Marrëdhënia jonë me Budapestin është e shkëlqyer, jo vetëm prej miqësisë, por edhe projekteve konkrete që kemi mes Tiranës dhe Budapestit. Budapesti ka qenë një histori suksesi në të gjithë Europën, për mënyrën se si funksionon, pastërtia, transporti publik dhe transformimi urban. Sot është një ditë e shkëlqyer për marrëdhëniet mes dy qyteteve dhe mezi presim të bëjmë akoma më shumë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se falë bashkëpunimit me Bashkinë e Budapestit, Tirana ka një masterplan të ri që i jep zgjidhje furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët, për të cilin puna ka nisur pa humbur kohë. “Duam të mësojmë nga më të mirët edhe në fushën e ujësjellësit; bashkëpunimi ynë me Ujësjellësin e Budapestit ka qenë një histori suksesi, që jo vetëm prodhoi një masterplan, por tashmë kemi filluar zbatimin e projekteve në Ujësjellës, sidomos në rezervuarin e Bovillës, ku po shtojmë filtrimin, ashtu edhe në linjën e re që po çojmë tek zona e Astirit në Unazën e Re; të dyja projekte të ideuara e të konceptuara nga bashkëpunimi me Ujësjellësin e Budapestit”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiakët Veliaj dhe Tarlós zhvilluan një vizitë pranë pllakës përkujtimore “Janos Hunyadi” në lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare, ku vendosën edhe kurora me lule. Në shenjë simbolike, ata mbollën një pemë për miqësinë mes dy popujve.

Tarlós ftoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës në një vizitë zyrtare në Budapest pranverën e ardhshme për të diskutuar mbi rezultatet e arritura nga ky bashkëpunim dhe projektet e reja.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button