Vetëm Ernest Muçi nuk stërvitet me Kombëtaren, FSHF publikon njoftimin dhe shpjegon vendimin
Ernest Muçi nuk është stërvitur sot me Kombëtaren. Stafi mjekësor vendosi kështu si masë parandaluese, pas goditjes që Muçi mori ndaj Finlandës. Kështu kërkohet të shmanget një dëmtim për yllin e kuqezinjve dhe Trabzonsporit. Nesër është në program pikërisht sfida vendimtare me Bjellorusinë ku bën punë edhe barazimi.
Njoftimi i FSHF:
Kombëtarja shqiptare zhvilloi paraditen e sotme stërvitjen zyrtare në prag të ndeshjes ndaj Bjellorusisë, e vlefshme për UEFA Nations League.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se 26 lojtarë u stërvitën normalisht, ndërsa Ernest Muçi zhvilloi disa ushtrime në palestër dhe nuk iu bashkua ekipit në fushë. Stafi mjekësor i Kombëtares vendosi ta lërë pushim si masë parandaluese, pas një goditjeje që lojtari mori në ndeshjen ndaj Finlandës.
Pjesa tjetër e ekipit u fokusua te aspektet tekniko-taktike në prag të sfidës së nesërme, si edhe te provat e goditjeve standarde.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme ekipi do të udhëtojë drejt Budapestit. Trajneri Rolando Maran dhe një lojtar i Kombëtares do të dalin para mediave në konferencën për shtyp, që do të zhvillohet në orën 18:30.
Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër ndeshjen e fundit në UEFA Nations League ndaj Bjellorusisë, në orën 18:00, në stadiumin “Illovszky Rudolf Stadion”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.