Opinion

Vetëm me një vështrim të shpejtë sa për fillim

Nga Ola Xama

Kryeministri deklaroi se SPAK po mban të bllokuar një investim me vlerë 200 milion euro në portin e Marina Limionit në Sarandë. Se ku e gjeti këtë shifër duhet të na i sqarojë, sepse kontrata e miratuar me kompanitë Kastrati dhe Edil-Al është 1.37 miliard lekë, ose 13.4 milion euro.

Tha se nuk komenton vendimet e drejtësisë, por në këtë rast nuk harroi të shtonte se xhepat e shqiptarëve (taksat e tyre) ishin në mëshirën e kompanive që ‘shyqyr zotit’ janë shqiptare sepse mund t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Harroi të shtonte se një nga këto kompani është po ashtu në mëshirën e drejtësisë për pushtimin e tokës dhe ndërtim pa leje në zonën e parkut industrial në Porto Romano, apo se gjykata e Arbitrazhit mbron investitorët vetëm kur konstaton se ndërhyn politika dhe jo drejtësia (rasti Beccheti).

Ishte kontradiktor kur tha se ishte zgjedhur që porti tregtar në Porto Romano të ndërtohej me prokurim të fondeve publike që vepra dhe të ardhurat që vilen t’i mbeten shtetit, sepse i bie që nuk ka mbrojtur interesat e shtetit në rastin e koncesionit në rrugën Thumanë-Kashar ku kompania projekton të fitojë për vitet e kontratës afërsisht 1 miliard euro, ose të mirëmbajtjes së rrugës Milot -Morinë ku koncesionari ka kaluar prej kohësh skenarin bazë të fitimit e shumë të tjera të ngjashme.

E vërteta është se investitorët u ftuan, bankat u lutën, por nuk e gjeti njeri projektin fizibël, sepse nuk ka studim fizibiliteti. Nuk ka firmë serioze të vijë të investojë 400 milion euro pa patur këtë siguri, përveçse kur bën sikur investon, por përfundon duke dhuruar nëpër restorante ishuj dhe toka në bregdet me marrëveshje xhentëlmenësh.

Tha se Shqipërinë bashkë me drejtësinë e re që po vepron e ka bërë Partia Socialiste, por fajin për urën e Kukësit që nuk ka përfunduar nuk e ka ajo, por PD që nuk e mbaroi për 8 vjet. Ndërkohë për 2 vjet që e nisi ndërtimin qeveria e PS në vitin 2003 dhe 10 vjet në pushtet që është vetë vitet e fundit, nuk gjen asnjë përgjegjësi. Ka frikë t’ia hedhë fajin dhe kompanive private që kanë shkelur prej vitesh kontratën.

Në fund e mbylli me tezën se shqiptarët nuk janë më të palumturit në rajon (siç kishim dalë të Indeksi Global i Lumturisë), por nuk kënaqen kurrë dhe mirë bëjnë.

Kjo ishte vetëm pjesa e parë…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button