“Vetëm në Shqipëri ndodh kjo”, revoltohet ish-prokurori: Si mundet që kryebashkiaku i Tiranës të jetë në burg?
Pasi Gjykata e Lartë vendosi të lërë në burg Erion Veliajn, duke rrëzuar rekursin e mbrojtjes së kryebashkiakut të Tiranës, ka reaguar ish-prokurori Eugen Beci. Në Off the Record Me Andrea Dangllin në A2 CNN ai e cilësoi paradoksal faktin që një zyrtar i lartë mund të jetë njëkohësisht në detyrë dhe në arrest me burg.
“Zoti Veliaj bëri kërkesë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese konstatoi pjesërisht të drejtë pretendimet e zotit Veliaj, përsa i përket dy elementëve kryesorë, që kanë të bëjnë me prezumimin e pafajësisë duke e lidhur atë me faktin që arsyetimi i rrëzimit të këtij pretendimi nga gjykata e lartë nuk ishte i mjaftueshëm dhe pika e dytë që kishte lidhje me arsyetimin e vendimit për sa i përket mënyrës së proporcionalitetit të caktimit të një mase sigurimi për një kryetar bashkie që është në detyrë dhe ndërkohë që është në arrest në burg. Këto janë elementë të çuditshëm, paradoksal, por i bëjnë mirë publikut, i bëjnë mirë masave të sigurimit të popullit, sepse caktohen disa kushte dhe kritere, të cilat duhet të ngrenë stekën për të thënë që masa e sigurimit arrest në burg është masë përjashtimore, jo masë e zakonshme, por janë paradoksale për faktin e thjeshtë që kryetari i bashkisë së kryeqytetit është i pandehur, është në burg, është dhe në detyrë”, u shpreh ai.
Sipas tij vetëm në Shqipëri mund të ndodhin elementë të këtij lloji.
“Ndodhin elementë të këtij lloji se siç duket tërë korpusi ligjor për luftën kundër korrupsionit ka qenë i paqartë dhe i paparashikueshëm për sa i përket momenteve të këtij lloji. Nuk mundet që një zyrtar i lartë të jetë dhe i pandehur, mos jetë i pezulluar dhe të jetë në detyrë”, u shpreh ai.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.