Vizitë historike në Greqi, Presidenti turk Erdogan mbërrin për një vizitë zyrtare në Athinë
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbërrin në Athinë në orën 10:30 për një vizitë zyrtare, i ftuar nga homologu i tij grek Prokopis Pavlopoulos, të cilin do ta takojë rreth orës 12, pasi të vendosë një kurorë me lule në monumentin e “Ushtarit të panjohur” para Parlamentit grek.
Ndërsa në një intervistë për televizionin privat “SKAI”, Erdogan ka thënë se marrëdhëniet e këqija midis dy vendeve i përkasin së shkuarës, por ka kërkuar një rishikim të Traktatit të Lozanës, duke parashtruar përsëri kërkesën për deportimin e 8 ish-ushtarakëve turq, që u arratisën pas grushtit të dështuar shtetit, për në Greqi.
E menjëhershme ka qenë përgjigjja e Athinës zyrtare, në të cilën theksohet se,Traktati i Lozanës është guri themeltar dhe i panegociueshëm, mbi të cilin mund të ndërtohet bashkëpunimi i sinqertë i të dyja vendeve. “Raportet mbi rishikimin e tij nuk kontribuojnë në klimën që përpiqemi të ndërtojmë në rajon”.
Qeveria greke synon në këtë vizitë të presidentit turk të mbajë të hapura urat e komunikimit me fqinjin e saj, duke marrë edhe një rol negociues midis Turqisë dhe BE-së, në një periudhë kur shumë qeveri europiane shprehen kundër integrimit të Ankarasë në BE.
Gjithashtu, Athina kërkon përveç zgjidhjes së çështjes qipriote, edhe një bashkëpunim të ngushtë për krizën e refugjatëve, si dhe për marrëdhëniet ekonomike.
Programi i presidentit turk përmban edhe takimin me udhëheqësin e opozitës, Mitsotakis, si dhe një darkë zyrtare mbrëmjen e së enjtes nga homologu i tij grek Pavlopoulos. Të premten, Erdogan viziton krahinën verilindore të Trakës, ku jeton pakica myslimane në Greqi.