Vjedhja me recetat e ilaçeve; Zbulohen 400 receta false lëshuar për të vdekurit
Shifrat e abuzimeve me paratë e rimbursimit të ilaçeve janë të larta. Me urdhër të Prokurorisë dje u arrestuan disa persona, të cilët kanë në pronësi farmaci që kanë lëshuar 400 receta për të vdekur. Disa nga këto farmaci kanë përfituar pagesa shumë të larta në pak muaj. Ndërsa dyshimet janë se abuzimi arrin disa dhjetëra milionë euro. Fondi ka ndërprerë çdo rimbursim prej 4 muajsh.
Të dhënat zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tregojnë se në katër muajt e parë të 2018-ës, në Tiranë u rimbursuan në total 10 milionë dollarë për barnat. Por 17 për qind e kësaj shume u përfitua nga vetëm 6 farmaci.
Dy farmacitë që kanë përfituar më shumë janë nën pronësi të të njëjtit person, Gazmend Aliaj ish-kontrollor në Fondin e Sigurimeve dhe njëherazi kunat i Aleksandër Haxhit, drejtorit të politikave në fond.
Sipas të dhënave, “Medigreen” dhe “Bioplus” kanë përfituar për katër muajt e parë të vitit të kaluar 830 mijë dollarë rimbursime nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Aliaj u arrestua këtë të premte për mashtrim, pasi prokuroria u ka gjetur deri më tani 400 receta fiktive.
“Geni & Lori” renditet në vendin e tretë duke përfituar rimbursoi 350 mijë dollarë për janar prill 2018. Kjo farmaci rezulton në pronësi të Loranda Skuras, kunata e ish-nëndrejtorit të përgjithshëm në Fondin e Sigurimeve, Sokol Skurës. Të premten policia arrestoi babain e tij Petrit Skura, i cili është drejtuesi teknik i farmacisë “Geni & Lori”.
Por ka edhe farmaci të tjera që nuk kanë qenë pjesë e aksionit të Prokurorisë, të premten, dhe deri tani nuk kanë probleme ligjore, rezultojnë të kenë marrë fonde të konsiderueshme nga rimbursimet e ilaçeve.
“S.Prifti 2” një farmaci nën pronësi të shtetases Yllka Prifti rezulton të jetë përfituesja e katërt më e madhe me 200 mijë dollarë vetëm në katër muaj. Ndërsa në vendin e pestë dhe të gjashtë renditen “Julis Farmaci” dhe “Farmaci Nacional”, respektivisht me 190 mijë dhe 150 mijë dollarë të rimbursuara për janar prill 2018.
“Farmaci Julis” nën pronësi të shtetases Johana Çobaj është themeluar vetëm dy vjet e gjysmë më parë, por menjëherë ajo është shndërruar në një nga përfitueset më të mëdha nga fondet publike, ndërsa farmaci nacional e krijuar që në 2006-ën i përket shtetasit ideal koka.
Këto janë përfituesit më të mëdhenj në tiranë, por edhe në rrethe ka farmaci të cilat kanë rimbursuar dukshëm mbi mesataren. “Sandri 2” në Korçë në pronësi të Luljan Qirjas apo “Farmaci Diana” në Dibër rezultojnë të kenë marrë shuma të konsiderueshme nga buxheti i shtetit, mesatarisht 50 mijë dollarë në muaj.