VKM për kontrollin e kanabisit mjekësor dhe industrial, ja si do të monitorohen kompanitë
Një projektvendim i Këshillit të Ministrave i miratuar të premten përcakton rregulla të reja dhe të detajuara për mbikëqyrjen e subjekteve që ushtrojnë veprimtari me cannabis për qëllime mjekësore dhe industriale.
Kontrolli do të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në zbatim të ligjit nr. 61/2023, ndërsa mbikëqyrja do të shtrihet në të gjitha fazat e aktivitetit, nga importi i farërave dhe fidanëve deri te kultivimi, korrja, përpunimi, magazinimi, transporti, eksporti dhe asgjësimi i materialit.
Sipas projektvendimit, inspektimet do të zhvillohen mbi bazën e një programi vjetor dhe analizës së riskut. Megjithatë, kontrolle mund të kryhen edhe pa njoftim paraprak, veçanërisht kur ekzistojnë dyshime për shkelje të rregullave.
Projektvendimi parashikon që çdo lëvizje e materialit të regjistrohet në një sistem kombëtar gjurmueshmërie.
Pas korrjes, materiali nuk mund të kalojë në fazat e mëtejshme të përpunimit pa u regjistruar dhe, në rastet kur kërkohet, pa iu nënshtruar analizave përkatëse.
Për canabisin industrial përcaktohet një kufi maksimal prej 0.8% THC. Nëse analiza tregon një nivel më të lartë se kufiri i lejuar, loti do të vendoset në karantinë. Subjekti do të ketë mundësi të kërkojë një ritestim brenda dy ditëve pune.
Në rast konstatimi të shkeljeve, kompanive do t’u caktohen masa korrigjuese, të cilat duhet të përmbushen brenda një afati maksimal prej 30 ditësh. Pas përfundimit të këtij afati do të kryhet një rikontroll për të verifikuar nëse shkeljet janë korrigjuar.
Materiali për të cilin ekzistojnë dyshime mund të sekuestrohet përkohësisht. Konfiskimi do të bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, ndërsa asgjësimi i materialit do të kryhet vetëm nga subjekte të autorizuara.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.