Kronika

Vladimir Kristo dha dorëheqjen nga Gjykata Kushtetuese

Vladimir Kristo dha sot dorëheqjen nga detyra e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, duke e lënë me 6 pjesëtarë këtë gjykatë pak javë para se ajo të shprehet mbi disa çështje gjyqësore, që lidhen me reformën në drejtësi.

Ai u emërua anëtar i kësaj gjykate në prill 2007 dhe ishte kryetar i kësaj gjykate në 3 vitet e para të mandatit, i cili ka afro 16 muaj që ka përfunduar.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë me mandat 9 vjet, të cilët emërohen nga presidenti me pëlqimin e Parlamentit.

Krahas dorëheqjes së zotit Kristo, edhe gjyqtarëve Ardian Dvorani dhe Vitore Tusha iu ka mbaruar mandati po ashtu.

Gjykata Kushtetuese e mbetur tashmë me 6 anëtarë, e cila sipas Kushtetutës, “merr vendime me shumicën e të gjithë anëtarëve të saj”, është vënë në vështirësi, edhe pse gjyqtari duhet të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.

Zoti Kristo ia ka njoftuar dorëheqjen Presidentit Ilir Meta, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar aktualisht disa padi ndaj paketës së ligjeve të reformës në drejtësi.

Paditë​ e Unionit dhe Shoqatë​s së​ Gjyqtarëve ndaj ligjeve të reformës në drejtësi mund të miratohen me 5 vota pro nga 6 anëtarët e mbatur Gjykatës Kushtetuese.

Shanset që ligjet e reformës gjyqësore të rrëzohen janë edhe më të pakta me largimin e zotit Kristo, i cili ishte kritik i tyre, ndërsa të paktën dy kolegë të tij në trupën e mbetur kanë mbajtur më parë qëndrime kundër padive dhe pro reformës.

Institucionet e reja, që prodhohen nga ligjet e reformës në drejtësi, nëse nuk do të ketë pezullime apo padi të tjera në gjykatë dhe ajo do të shprehet për to në shtator, mund të nisin të formohen rreth muajit nëntor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button