Vrau çiftin e të moshuarve në Dropull në 2024, Prokuroria kërkon 30 vite burg për autorin 72-vjeçar
Prokuroria e Gjirokastrës ka kërkuar 30 vite burg për 72 vjeçarin Thoma Mastorën, i akuzuar për vrasjen e çiftit të të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia, ngjarje që tronditi Dropullin në maj të vitit 2024.
Pretenca u paraqit në përfundim të procesit gjyqësor, pasi sipas organit të akuzës, hetimet kanë provuar fajësinë e të pandehurit për vrasjen e dy bashkëshortëve në fshatin Bodrishtë. Mastora akuzohet për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa Prokuroria i ka kërkuar gjykatës dënimin me 30 vite burg.
Krimi ndodhi më 2 maj 2024. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi pas një konflikti të çastit në banesën e çiftit të të moshuarve, i cili më pas përshkallëzoi në përdorimin e sendeve të forta. Pas ngjarjes, Mastora, asokohe 69 vjeç, u largua nga banesa, ndërsa Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 80 dhe 84 vjeç, u gjetën të pajetë.
Tashmë pritet vendimi i Gjykatës së Gjirokastrës për kërkesën e Prokurorisë.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë
” Prokuroria Gjirokastër kërkon 30 vite burgim për shtetasin Th.M. për vrasjen e çiftit të të moshuarve në Dropull. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, në përfundim të hetimeve dhe shqyrtimit gjyqësor kërkon 30 vite burg për shtetasin Th. M. i akuzuar për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal. Hetimet mbi procedimin penal nr.240, të vitit 2024, arritën në përfundimin se i pandehuri Th.M., është fajtor dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër në paraqitjen e diskutimit përfundimtar kërkon dënimin e tij me 30 vite burgim për vrasjen e çiftit të të moshuarve K.I. dhe K.I., në fshatin Bodrishtë, Dropull. Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit” .



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.