Vrau nënë e bijë, ish-shikasi sërish kërkesë gjykatës: Drejtësi, pa qielli le të çahet
Marjan Rroku, ish-shikasi i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Alda Canajt dhe nënës së saj Mbarimes, nis një tjetër përballje me drejtësinë shqiptare.
“BalkanWeb” ka mësuar se pasi iu refuzua kërkesa për rigjykim të çështjes, studenti i fizikës bërthamore bëri kërkesën e radhës në Gjykatën e Tiranës, duke këmbëngulur për të dalë në liri, me arsyetimin se vendimi i Shkallës së Parë, është i pavlefshëm, pasi nuk përmban firmat e tre anëtarëve të trupit gjykues që kanë shqyrtuar çështjen penale ndaj tij.
Në sy binte fakti, se Marjan Rroku kishte zgjedhur të mbrohej vetë para gjykatës dhe nuk kishte marrë avokat, shkruan BW.
Rroku i tha gjykatës se e kupton sa e vështirë është për një gjykatës të vendosë për një të dënuar me burgim të përjetshëm, në një shoqëri paragjykuese, por teksa kërkonte lirinë citoi shprehjen: “Drejtësia të vihet në vend, pa qielli lë të çahet”.
Prokurori Hysen Keta, tha se kërkesa e Marjan Rrokut duhet të rrëzohet si e pabazuar në prova dhe ligj. E
dhe gjykatësi Gerd Hoxha, në përfundim të gjykimit e rrëzoi kërkesën e ish-shikasit, si të pabazuar dhe i shpjegoj të dënuarit me burgim të përjetshëm, se kërkesa e tij është bërë jashtë çdo afati.
Marjan Rroku është dënuar me burgim të përjetshëm, për vrasjen e dyfishtë para pallatit të Sportit “Asllan Rusi”.