Rajoni

Vuçiq në qershor në SHBA, e pret ballafaqimi me rastin Bytyqi

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq do të vizitojë në qershor Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pret që, në takimet zyrtare që do të ketë në Uashington, nikoqirët të hapin edhe temën e rastit Bytyqi – tre vëllezërve shqiptarë, shtetas amerikanë, të vrarë në Serbi në vitin 1999, transmeton KosovaPress-i.

Vuçiq për gazetën beogradase “Blic” ka deklaruar se me nikoqirin e tij, nënkryetarin amerikan Joe Biden, do të bisedojë për marrëdhëniet bilaterale, për “zgjidhjen e problemit të Kosovës”, por pret që të hapet edhe tema e vrasjes së tre vëllezërve – Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, më 1999 në Petrovo Sello, rast ky që në Serbi ende nuk ka epilog gjyqësor.

Sipas kryeministrit serb, vizita që do t’ua bëjë muajin e ardhshëm SHBA-ve është shumë e rëndësishme për Serbinë dhe pret që të rezultojë me “marrëdhënie edhe më të mira me Shtetet e Bashkuara”.

“Serbia dëshiron të ketë marrëdhënie sa më të mira me SHBA-të, politika e qeverisë sonë është kujdesi për të ardhmen e Serbisë dhe në dritën e kësaj shpresojmë se do të kemi marrëdhënie sa më të mira politike dhe ekonomike me SHBA-të”, ka deklaruar Vuçiq për gazetën “Blic”, e cila shkruan se vizita e kryeministrit serb Uashingtonit do të realizohet në qershor, e jo në shtator, siç qe paralajmëruar më parë.

“Analizën e së kaluarës ua lëmë të tjerëve, ndërsa puna jonë është që përmes plotësimit të obligimeve tona të tregojmë se jemi partner i besueshëm i SHBA-ve në këtë pjesë të Evropës”, ka thënë Vuçiq, duke shfaqur shpresën se Serbia do të ketë përkrahjen e Uashingtonit në rrugën e saj evropiane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button