Zaev informoi se më shumë se 60 akse rrugore në gjatësi prej 800 kilometrave do të ndërtohen, rikonstruohen dhe rindërtohen për çka janë siguruar gjithsej 270 milionë euro, duke shtuar se këtë vit do të kompletohen rrugët e autostradës Demir Kapi – Smokvicë dhe Miladinovc – Shtip ndërsa planifikohet të fillojë edhe ndërtimi i tre rrugëve ekspres.
Sipas tij, gjatë muajit prill do të fillojë ndërtimi i tre rrugëve të reja ekspres të akseve rrugore Gradsko-Drenovo, Shtip-Radovish ndërsa në rrjedhë është ndërtimi i rrugës ekspres Çatall – Kriva Pallankë.
“Me 86 milionë euro mjete të siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) planifikohet të rehabilitohen 26 akse rrugore në gjatësi prej 422 kilometra. Gjatë muajit qershor do të rehabilitohen 7 akse rrugore ndërsa po ashtu me 14 milionë euro nga Banka Botërore do të rehabilitohen 13 akse rrugore në gjatësi prej 150 kilometrave”, tha Zaev.
Ai potencon se këto janë projekte afatgjate infrastrukturore me interes të madh për ekonominë, për qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe për gjeneratat e ardhshme. Një pjesë e tyre, siç tha Zaev, do të përfundojnë këtë vit ndërsa një pjesë do të fillojnë tani por një pjesë pritet të kompletohen në interval të ndryshme kohore gjatë disa viteve të ardhshme.
Ministri Sugarevski tha se ndërtimi i rrugëve të reja dhe rikonstruimi i rrjetit të tanishëm rrugor në Maqedoni është prioritet kulmor i Qeverisë, duke shtuar se ky është programi më voluminoz për përmirësimin e infrastrukturës në shtet.
“Praktikisht, mbarë Maqedonia do të jetë një lokacion ndërtimi ndërsa mjetet për realizimin e të gjitha projekteve tashmë janë siguruar, një pjesë nga mjetet personale, një pjesë nga huatë. Sivjet, deri në fund të muajit prill do ta përfundojmë ndërtimin e autostradës Demir Kapi – Smokvicë, dhe Miladinovc – Shtip, deri në fund të shtatorit”, tha Sugarevski.
Ai informoi se në rrjedhë është projektimi i autostradës së re Gostivar-Kërçovë, i cili do të ndërtohet në tre faza, ndërsa janë siguruar edhe mjete për autostradën Shkup-Bllacë, ndërsa rruga ekspres Gradsko-Prilep do të fillojë të ndërtohet muajin e ardhshëm.
Kryeministri Zaev paralajmëroi se në rrjedhë janë bisedime me Partinë Demokratike të Turqve për zgjerimin e shumicës parlamentare dhe se beson që këto bisedime të përfundojnë deri të martën.
Ai theksoi se kjo parti tashmë jep mbështetje ndaj zgjidhjeve ligjore dhe bashkëpunimi nuk është i kushtëzuar me disa vende zyrtarësh, por duhet të përfundojë, duke shtuar se po mendon edhe për takim me Lëvizjen BESA ndërsa do të bisedojë edhe me deputetët që janë në opozitë.