Zbulohen ambiente të reja në gjimnazin e lashtë ku mund të ketë mësuar Aleksandri i Madh
MIEZA, 5 shtator, ATSH/ Arkeologët kanë zbuluar ambiente të reja të gjimnazit mbretëror të lashtë në Mieza, në veri të Greqisë, një kompleks që lidhet me edukimin e Aleksandrit të Madh nga filozofi Aristotel, më shumë se 2.300 vjet më parë.
Sipas Reuters, gërmimet kanë nxjerrë në dritë një hapësirë që mendohet se shërbente për mësim, me banka prej guri, si dhe dy salla të mëdha për bankete, të pajisura me dysheme mozaiku.
Në kompleks janë gjetur gjithashtu objekte qeramike, monedha dhe katër stile të përdorura për të shkruar mbi pllaka dylli.
Gjimnazi ishte shumë më tepër se një shkollë në kuptimin e sotëm. Ai përfshinte ambiente për studim, një palestër, një stadium dhe një portik të mbuluar rreth 200 metra të gjatë, i përdorur për aktivitet fizik.
Sipas arkeologëve, gjimnazi u ndërtua me urdhër të Filipit II për edukimin dhe formimin e të rinjve të elitës së kohës. Kompleksi lidhet veçanërisht me Aleksandrin e Madh, pasi burimet antike tregojnë se Filipi II ia besoi edukimin e të birit filozofit Aristotel.
Historiani Plutark shkruan se Aristoteli u ngarkua me edukimin e Aleksandrit dhe se mësimet zhvilloheshin në Mieza.
Megjithatë, arkeologët nuk kanë një dëshmi përfundimtare që provon se një nga ambientet e zbuluara ishte pikërisht vendi ku Aristoteli i dha mësim Aleksandrit. Gjetjet e reja, sipas Reuters, ngrenë mundësinë që Aleksandri të ketë qenë mes të rinjve që mësonin në këtë kompleks.
Zbulimet po ofrojnë një pamje të re të një prej qendrave të rëndësishme të edukimit të botës antike dhe të mjedisit ku mund të jetë formuar intelektualisht një nga figurat më të njohura të historisë së lashtë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.