Zgjedhjet e qershorit në Kosovë, 22 parti dhe tre koalicione në garë/ “Nisma” e Limajt mbetet jashtë
Derisa 22 parti politike dhe tri koalicione do të garojnë zyrtarisht në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk do të marrë pjesë, konfirmoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të premten.
Partitë dhe koalicionet kishin kohë deri në mesnatën e së enjtes për t’u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e muajit të ardhshëm, të cilat vijnë si pasojë e shpërndarjes së Kuvendit nga dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Partia në pushtet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, do të garojë sërish në një koalicion me partitë Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane.
Pjesë e garës do të jetë edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet të garojë në një listë me ish-partinë e vet, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Po ashtu, do të garojë edhe Partia Socialdemokrate (PSD) e përbërë kryesisht nga anëtarë të dikurshëm të partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.
Partitë politike pjesëmarrje në zgjedhje:
1.Partia Socialdemokrate;
2. Kosovaki Nevi Romani Partia;
3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve;
4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak;
5. Srpska Lista;
6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi;
7. Lidhja Demokratike e Kosovës;
8. Fjala;
9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës;
10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK;
11. Socialdemokratska Unija;
12. Jedinstvena Goranska Partija;
13. Kosova Demokratik Türk Partisi;
14. Nova Demokratska Stranka;
15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës;
16. Kosovski Savez;
17. Partia Balliste;
18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale;
19. Partia Liberale Egjiptiane;
20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;
21. Stranka Demokratske Akcije; dhe
22. Partia Demokratike e Kosovës.
Koalicionit:
1. Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT);
(2). Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar) dhe
3. Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).
Ndërkohë, Nisma, e cila dështoi ta kalojë pragun në zgjedhjet e kaluara në dhjetor, vendosi të mos garojë e vetme. Në zgjedhjet paraprake, Nisma kishe hyrë në Kuvend pasi kishte garuar në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Thuhej se Limaj kishte bërë përpjekje për të bashkëpunuar me partinë më të madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për të garuar në një listë të përbashkët.
Subjektet politike dhe koalicionet kanë kohë deri më 12 maj për t’i dorëzuar online listën me emrat e kandidatëve për deputetë për certifikim të pjesëmarrjes në këto zgjedhje.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor pasi vendi dështoi ta zgjedhë një president të ri për t’i shmangur ato. Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025./REL



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.