ZMNV trajtoi 52 raste të reja brenda një jave, 47 prej tyre për dhunë në familje
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka njoftuar se gjatë periudhës 11-18 shtator 2026 ka trajtuar 52 raste të reja të paraqitura në këtë zyrë.
Sipas të dhënave të publikuara, nga 52 rastet e trajtuara, 47 kanë të bëjnë me dhunë në familje, tri me dhunim, një me vrasje në tentativë dhe një rast me lëndim të lehtë trupor.
Gjatë kësaj periudhe, Mbrojtësit e Viktimave në nivel të Republikës së Kosovës kanë parashtruar edhe pesë kërkesa për urdhër mbrojtjeje në gjykatë, ndërsa janë bërë shtatë kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente dhe dy kërkesa për urdhër mbrojtjeje të përkohshëm emergjent.
Po ashtu, janë regjistruar kërkesa për tërheqje, vazhdim, ndërprerje dhe kundërshtim të urdhrave mbrojtës.
Sipas ZMNV-së, gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 69 seanca gjyqësore dhe 19 seanca në prokurori, ndërsa janë dhënë 62 këshilla juridike.
Gjykatat kanë nxjerrë gjithsej 10 aktgjykime dënuese, një aktgjykim lirues dhe dy aktgjykime refuzuese.
Ndërkohë, katër raste janë referuar në Qendrat për Punë Sociale, një në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, ndërsa janë bërë edhe dy përfaqësime të rasteve në strehimore. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.