Zogaj: Kryeministri po kërkon të lexojë arsyet e protestës! E vështirë të krijohet dialog pa një përfaqësi të tyre
Analisti Preç Zogaj deklaroi në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se Kryeministri Edi Rama ka treguar një qasje më të avancuar duke shprehur dëshirën për të kuptuar thellësisht arsyet e protestës, duke e cilësuar këtë si një hap që duhet të materializohet në veprime konkrete dhe jo të mbetet vetëm në nivel deklarate.
Zogaj tha se Rama nuk ka qenë refraktar që në fillim ndaj protestës, por ka pasur gjithnjë një sens për dialog.
“Unë nuk kam konstatuar se Rama ka qenë që në fillim refraktar dhe ka mbetur që në fillim refraktar. Gjithnjë ka pasur një sens për të folur. Sot ka bërë një gjë më të avancuar që nuk duhet të mbetet në nivelin e një deklarate por duhet të vishet me tekst”, tha Zogaj.
Sipas tij, kryeministri duhet të identifikojë elemente thelbësore në frymën e protestës që protestuesit vetë nuk i kanë shprehur ende si kërkesa të qarta.
“Leximi i arsyeve të protestës të çon te një gjë që është bazike që ka të bëjë me rikthimin e demokracisë, rigjetjen e demokracisë. Jo vetëm si reagim por kryeministri mund të gjejë zgjidhje të tjera nëse e ka largpamësinë”, theksoi analisti.
Zogaj nënvizoi se protesta nuk është çështje numrash, por e arsyeve thelbësore. Ai iu referua edhe deklaratës së Ramës se “nuk po i numërojmë, po shikojmë arsyet”, duke e parë atë si një sinjal pozitiv se kryeministri synon ta bëjë këtë qasje të tijën.
Megjithatë, Zogaj paralajmëroi se ndërtimi i një dialogu të drejtpërdrejtë mbetet i vështirë për shkak të mungesës së një përfaqësimi të unifikuar të protestuesve.
“Duke qenë një protestë e tillë që është e vështirë për të ndërtuar një dialog sepse ata nuk kanë një përfaqësim të gjithëpranuar, atëherë mbetet që gjithë ky komunikim të mbetet në distancë”, përfundoi Preç Zogaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.