‘Zogjtë’ e revolucionit e quajnë betejë finale dhunimin e Pavarësisë!
Nga Jakin Marena
Shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në diasporë, anembanë botës ku jetojnë, festojnë këtë të shtunë përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Me një flamur kuqezi në ballkon apo sipas rastit në shtëpitë private ‘ngulet’ në kulmin e shtëpisë, me një koncert, me një marshim promovues, përkujtimore apo thjeshtë gëzim mes familjarësh e miqsh, gjithkush që i thotë vetes shqiptar, feston 114 vjetorin e shpalljes së mëvetësisë së shqiptarëve nga sundimi turk, në errësirën e të cilit kemi vuajtur 500 vite me radhë.
Për vite e vite, në këtë mënyrë është festuar, në Tiranë, Prishtinë, Shkup e Tetovë, Ulqin e Podgoricë, në të gjitha kryeqytetet e Europës, në SHBA e Britani, e deri në Zelandën e Re, Argjentinë dhe Kinë. Sikur një shqiptar të jetë në një vend, ai e ka festuar rëndshëm Pavarësinë e Shqipërisë. Aq më tepër që tashmë gëzimin e tij, kushdo që feston e bën publik menjëherë, pasi të ndihmë i vijnë rrjetet sociale. Me ‘shpejtësinë e dritës’ e shpërndan mesazhin te të dashurit e tij. Megjithëse dikur për flamurin e kuq me shiponjën dykrenare kanë rënë edhe në fushën e betejës për liri, me Pavarësinë si imazh të fundit në sytë e tyre, teksa i kanë mbyllur për jetë.
Por kjo datë është një festë e dyfishtë. Pasi pikërisht më 28 nëntor 1443, i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, ngriti flamurin në kalanë e Krujës. Ndërsa më 28 nëntor të vitit 1912, plaku Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë e shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Një ditë e ‘blinduar’ feste dhe krenarie kombëtare kjo, për mbarë shqiptarët, kudo që jetojnë.
Por përvjetori i 114 i shpalljes së pavarësisë këtë të shtunë, pritet të na ofrojë surpriza jo fort të këndshme. Të paktën kështu po na prezantohet në media dhe rrjetet sociale, nga segmente të caktuara dhe pa ndonjë referenë identare, sidomos nëpër rrjetet sociale, ku po bëhet thirrje për një “Nëntor të tretë”, sipas tyre, qoftë dhe me mjete te dhunshme.
“Zogjtë” e revolucionit, në fillim ishin “Flaming”, për hir të së vërtetës duhet të themi se në ditët e para kjo protestë kishte arritur të mblidhte shumë njerëz në bulevard dhe ishte një protestë me shumë sharm e ngjyra, përjashtuar këtu atë maskarallëkun që shfaqnin me linçimet e tyre njerëzit e frustuar të të gjitha llojeve që merreshin me organizimin e saj në prapaskenë. Por më pas u kthye një konglomerat grupimesh e për disa muaj me radhë protestuan në Tiranë pa thyer asnjë xham, ndërsa ‘papritur’ në muajt tetor-nëntor ‘Flamingot’ u kthyen në “Shqiponja”, kështu u vetëquajtën me justifikimin se ‘Edi Rama nuk ua vari’ sipas tyre, dhe e kthyen protestën disi paqësore, në një ‘guerilie’ të dhunshme, që mori përpara gjithçka, dhe e futi Tiranën nën terror.
Dhe si për t’i vënë ‘kapak’ kësaj proteste të dhunshme, ku maskat sulmuan me gurë, molotov, fishekzjarre, llastiqe me sfera çeliku dhe mjete të tjera rrethanore, policinë e shtetit, institucionet e shtetit, bizneset private, komisariate policie, banka dhe biznese, e deri dhe gjykatat e selinë e Vatikanit në Tiranë, duke plagosur efektivët rëndë, shkatërruar, vjedhur, djegur e bërë shkrumb gjithçka, ka disa ditë që kanë vendosur që, këtë të shtunë të përdhosin Pavarësinë e Shqipërisë. Edhe kjo ditë e shenjtë kishte mbetur pa u prekur nga maskarada e një revolucioni të tillë.
Është lajmëruar kjo. Madje janë përgatitur fort që më 28 nëntor, pikërisht në ditën e shpalljes së pavarësisë të zhvillohet një protestë e dhunshme, për të zhbërë këtë qeveri, sipas tyre, e bashkë me të dhe ‘Nëntorin e Dytë’ e për të sjellë sipas tyre ‘Nëntorin e Tretë’ shqiptar. Një terminologji kjo aspak e shpjegueshme, pasi Pavarësia e Shqipërisë u vendos më 28 nëntor 1912 nga themeluesit e shtetit shqiptar, si një ‘vijë përcjellëse’ e nocionit të shtetit të themeluar nga Gjergj Kastrioti, më 28 nëntor 1443. Për t’i dhënë peshë kësaj dite të rëndësishme për brezat pasardhës.
Deri në këtë ditë të sotme, teksa disa njerëz anonimë, të përfaqësuar nga grupe të ndryshme, që nga këta guerilasit’ e Albinit, Berishës dhe të VLEN, e deri tek islami politik, neomarksistët, njerëzit e frustuar, adoleshentë dhe njerëz që i ‘zë’ leximi, apo të hurit dhe të litarit, përkundër emrave të etërve themelues të shtetit shqiptar të kryesuar nga Ismail Qemali, kanë vendosur që të protestojnë dhunshëm në ditën e Pavarësisë, nën thirrjen ‘do t’i vëmë flakën Tiranës më 28 nëntor, do të na shihni, nëse qeveria e Ramës nuk jep dorëheqjen’.
Në rrjetet sociale, këta njerëz bëjnë thirrje për të marshuar nga të gjitha trevat në Shqipëri dhe rajon, jo për të festuar, por për të luftuar shtetin shqiptar, si me qenë në ditën e fundit të tyre, për të shfrytëzuar po sipas tyre, shansin e fundit për të rrëzuar këtë qeveri të kryesuar nga Rama. Nga ana e saj, nuk kishte si të qëndronte dorëjashtë ‘nëna’ e dhunës në Shqipëri, PD e Sali Berishës, e cila ka bërë thirrje për të organizuar ‘guerilasit’ e saj, që të zbarkojnë në kryeqytet e të ushtrojë dhunë, siç e kanë treguar tërë jetën e vet politike, sa herë PD ka qenë në opozitë. Pasi kur ishte në pushtet, PD e Berishës bënte ‘vepra më madhore’ e krime më të ‘pastra’ për hir të së vërtetës, i vriste shqiptarët shtetërisht si më 21 janar 2011, i hidhte në erë po shtetërisht, si në Gërdec.
Pikërisht ky konglomerat njerëzisht, bëjnë thirrje ndaj qytetarëve të tërë hapësirës mbarëshqiptare, që të vijnë në Shqipëri, jo për të festuar Pavarësinë por që me një flamur në dorë të shkatërrojnë Pavarësinë, që të jenë të gatshëm për ‘betejën e fundit’, për ‘të çliruar Shqipninë nga regjimi i Edi Ramës’. Një thirrje kjo, me të vërtetë e rrezikshme, pasi protesta pritet të ketë brenda përpos këtyre njerëzve të dhunshëm të Albinit e Berishës, edhe radikalët islamikë të financuar rëndë nga “Vëllazëria Myslimane”, të cilët vijnë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, dhe që bashkohen me këta shqiptarët radikalë të Shqipërisë të xhamive të paregjistruara, të cilët tentojnë jo vetëm përdhosjen e festës së Pavarësisë, por dhe goditjen e të ardhmes së vendit.
Jo vetëm që është përdhosje e ditës së Pavarësisë përdorimi i molotovëve dhe mjeteve të tjera piroteknike kundër policisë, institucioneve të shtetit apo bizneseve, bankave, gjykatave e komisariateve në një moment të dhunshëm, por mund të rrezikojë edhe që të precipitojë deri në përplasje, me pasoja akoma më të gjëra. Në mendje një gjë të tillë kanë me sa duket.
S’po diskutojmë këtu se po na marrin erzin njerëz anonimë, të paguar nga burime të nëndheshme për të destabilizuar vendin pikërisht në ditën më të shenjtë të një shteti, ditën e Pavarësisë, pasi e dimë se do t’i bëhet jehonë përmes rrjeteve sociale dhe ata që nuk e duan Shqipërinë pikërisht këtë moment përdhosje të simboleve kombëtare presin me padurim, por shpresojmë se përmes ndonjë mendjeje të ftohtë brenda kësaj proteste të dhunshme dhe përmes ndërhyrjes së fortë dhe profesionale të policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese, të shmanget më e keqja e përgatitur.
Për hir të së vërtetës as në kohën e Ahmet Zogut, në as në kohën e Italisë Fashiste e Gjermanisë Naziste, 28 nëntori i Pavarësisë nuk është prekur e nuk është përdhosur, për asnjë moment, por është nderuar sipas mundësisë së asaj kohe. Të paktën formalisht. Madje as nga komunistët që ishin ilegalë në atë kohë, më 28 nëntor ata kanë bërë ‘pushim’, s’ka pasur asnjë demonstratë, as atentate madje dhe as luftime. Eshtë respektuar kjo datë edhe në luftë, nuk është përdhosur.
Përpjekja për destabilizim vjen pikërisht në momentin kulmor kur Shqipëria ka marrë vlerësimet maksimale për reformat dhe pritet që vitin e ardhshëm të nënshkruhet traktati i anëtarësimit me BE, që paralajmëron anëtarësimin e sigurtë në familjen evropiane. Ndërsa vetëm një ditë përpara protestës së dhunshme të paralajmëruar më 28 nëntor, komisionerja për zgjerimin në Komisionin Evropian, Marta Kos, rikonfiormoi qëndrimin e BE se Shqipëria i mbyll negociatat më 2027 dhe anëtarësohet në BE deri në vitin 2030. E thonë vetë evropianët këtë gjë, por ama ‘zogjtë’ e revolucionit janë kundër. Nuk janë deklaruar asnjëherë pro integrimit të Shqipërisë në BE, e për më tepër që sulmojnë BE duke u shprehur se “Edi Rama ka mashtruar plakat e Brukselit dhe po merr mbështetje”. Mbështetje, të cilën për gati 6 muaj tubime s’e kanë marrë këta revolucionarë. Përkundrazi, është kërkuar prej tyre që të protestojnë paqësisht, pasi dhuna nuk do të tolerohet.
Megjithatë, në emër të, nuk e dimë se kujt, këta njerëz anonimë që mendohet se do të jenë me maska e deri me shami, me shumicë këto të fundit, të cilët të armatosur me molotovë e mjete të tjera piroteknike, do të përpiqen këtë të shtunë që të shkaktojnë dhunë, në përpjekje që të arrijnë atë që kanë kërkuar me muaj të tërë, ndonjë viktimë të mundshme apo tragjedi. Megjithëse jemi shpresëplotë se kjo tentativë e re për ‘grusht shteti’ do të kalojë pa shënuar sukses, pasi Tirana dhe Shqipëria nuk i mbështet dhunuesit e ditës së shenjtë të Pavarësisë dhe të shtetit, ndërsa institucionet ligjzbatuese, janë në këmbë për të mbrojtur rendin dhe sigurinë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, pas kësaj përdhosjeje të Pavarësisë dhe të rendit në Shqipëri ditën e shenjtë të 28 nëntorit, mbetemi në pritje për ndërhyrjen e strukturave të drejtësisë së re për të dhënë ndonjë vendim të hajrit. Ndërsa bizare do të jetë dhe dalja e ndonjë kandidature të mundshme nga kjo protestë e dhunshme, që në emër ë ‘popullit’ të cilin e ka djegur dhe përvëluar, si dhe të opozitës që ka bashkuar asetet e forcat me dhunën, të kërkojë votën për të qenë qytetar i parë i kryeqytetit. Pra kryetar bashkie. Se jemi vend paradoksesh ne shqiptarët, e kemi treguar me kohë e me vakt.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.