Zvërneci, një pasuri natyrore që meritonte më shumë se deklarata nga mjedisorët
Nga Fatos Çoçoli
Zvërneci, me lagunën e Nartës, peizazhin bregdetar, pyllin me pisha dhe biodiversitetin e tij, përfaqëson një nga pasuritë e rëndësishme natyrore të vendit tonë. Kjo zonë ka vlera ekologjike, turistike, kulturore dhe ekonomike, të cilat duhet të mbrohen jo vetëm për brezat e sotëm.
Mbrojtja e natyrës nuk matet me deklarata dhe prani mjedisorësh në protesta. As me shkrime projektesh. Matet me punën konkrete, të ndershme dhe të përditshme, për të mbrojtur dhe ruajtur natyrën. Matet, ndër të tjera, me pastërtinë e mjedisit, me ruajtjen e habitateve, me reduktimin e mbetjeve dhe me përmirësimin e gjendjes së ekosistemeve.
Në 10 vitet e fundit, organizatat tona mjedisore kanë përfituar nga programe, projekte dhe donacione ndërkombëtare mbi pesë milionë euro. Mirëpo, sa herë në këtë dekadë kanë zbritur këto organizata për të pastruar konkretisht zonat natyrore për të cilat morën fondet, përtej seminareve dhe trajnimeve në mjedise të mbyllura? Sa herë kanë shkuar në Zvërnec, për shembull, për të pastruar?
Pyetja thelbësore këtu nuk është thjesht se sa para kanë shpenzuar organizatat, por çfarë përfitimi konkret ka marrë mjedisi shqiptar nga këto para?
Pastrimi fizik është një nga rezultatet kryesore të punës mjedisore. Organizatat mjedisore të fqinjit, Malit të Zi kanë marrë rreth 3.5 milionë euro në vitet 2016-2025 nga projektet donatore ndërkombëtare. Një nga arsyet themelore pse Mali i Zi është kaq i pastër sot dhe konsiderohet ndër vendet më të gjelbra të Evropës JugLindore, qëndron në realitetin që këto organizata, përtej aktivitetit monitorues, edukues, advokues dhe të mbrojtjes ligjore të natyrës, i gjen gati përditë në zonat e tyre të mbrojtura natyrore(për shembull, në Parkun Kombëtar Jezero në Liqenin e Shkodrës), duke pastruar, në bashkëpunim me shkollat e mesme publike dhe jo-publike.
Paradoksi i fondeve mjedisore: kur projektet nuk përkthehen në rezultate të dukshme
Financimet ndërkombëtare për mjedisin kanë një rol të rëndësishëm. Ato mbështesin ruajtjen e biodiversitetit, luftën kundër ndotjes, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, edukimin mjedisor dhe forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile.
Për fat të keq, suksesi i një projekti mjedisor tek ne, deri tani, është matur kryesisht nga aktivitetet trajnuese dhe ndërgjegjësuese të realizuara dhe dokumentet e dorëzuara, se sa nga ndikimi real pastrues dhe mbrojtës në mjedis. Vëmendja përqendrohet tek numri i aktiviteteve, pjesëmarrësve, publikimeve dhe raporteve. Këta tregues kanë vlerën e tyre, por nuk provojnë vetvetiu se ndotja është ulur, apo se një habitat është mbrojtur më mirë.
Na rroftë ne që një projekt mjedisor ka organizuar seminare, konferenca, fushata komunikimi dhe takime me institucionet! Kjo nuk do të thotë automatikisht se ka reduktuar ndotjen, ose ka përmirësuar gjendjen e një zone të mbrojtur.
Paradoksi bëhet edhe më i madh, kur qytetarët, turistët dhe mediat dëshmojnë për ndotje, papastërti dhe probleme mjedisore të vazhdueshme, ndërkohë që raportet institucionale flasin për projekte, grante dhe objektiva të realizuara.
Këtu lindin tri pyetje themelore: a financohen realisht tek ne aktivitetet që i përgjigjen nevojave më urgjente të mjedisit; a maten rezultatet konkrete dhe ndikimi afatgjatë i projekteve dhe a mbajnë përgjegjësi për rezultatet mjerane organizatat mjedisore zbatuese dhe administruesit e programeve dhe projekteve ndërkombëtare?
Nëse këtyre pyetjeve nuk u jepen përgjigje të qarta, jo vetëm në rastin e Zvërnecit, por në zonat e mbrojtura dhe në parqet natyrore të mbarë vendit, për fat të keq, financimi mjedisor po rrezikon të kthehet në një sistem që mat suksesin me numrin e projekteve, në vend që ta masë me përmirësimin e gjendjes së natyrës.
Çfarë duhet ndryshuar?
Atëhere, çfarë duhet që kjo gjendje mjerane të ndryshojë fort? Projektet tona mjedisore e kanë të domosdoshme të bazohen në një vlerësim paraprak të problemeve konkrete të natyrës sonë, në rradhë të parë, të ndotjes intensive, si dhe të përfshijnë në mënyrë të detyrueshme komunitetet vendore, në rradhë të parë shkollat e mesme.
Së dyti, duhet kërkuar fort një transparencë e plotë mbi financimet. Pa një regjistër të konsoliduar të projekteve mjedisore në shkallë vendi, të publikuar dhe treguar në një portal qeveritar, qytetarët e kanë të vështirë të kuptojnë se cila organizatë ka ka marrë fonde, sa ka përfituar, për çfarë projekti bëhet fjalë dhe çfarë rezultatesh konkrete ka arritur. Publikimi i granteve, buxheteve, zbatuesve, rezultateve dhe raporteve të vlerësimit është i domosdoshëm, për të shmangur numërimin e dyfishtë dhe nganjëherë të trefishtë të financimeve, gjoja për t♪7 treguar rezultate.
Së treti, deri tani, në më shumë se tre dekada, aktiviteti i organizatave tona mjedisore po vuan nga një vlerësim jo i mjaftueshëm i ndikimit real. Përfundimi i një projekti nuk do të thotë se objektivi i tij mjedisor është arritur. Pa matje para dhe pas ndërhyrjes, është e vështirë të provohet se çfarë ka ndryshuar falë financimit. Në projektet mjedisore duhet përfshirë kontrolle të pavarura, tregues të krahasueshëm dhe vlerësim real, pas përfundimit të projektit.
Zvërneci mund të shërbejë si një rast studimor, për të shqyrtuar marrëdhënien ndërmjet financimit, angazhimit qytetar dhe mbrojtjes reale të natyrës. Për Zvërnecin, njëlloj si për çdo zonë tjetër natyrore dhe me tërheqje të fortë turistike të vendit i duhet dhënë përgjigje dy pyetje themelore: çfarë ndërhyrjesh mjedisore janë realizuar në këtë zonë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe nga cilat organizata? Si dhe cilat janë raportet e aktiviteteve në terren, fotografitë e dokumentuara, procesverbalet e ndërhyrjeve, të dhënat për mbetjet e grumbulluara dhe mënyrën e transportimit e trajtimit të tyre?
Ndryshimi duhet të synojë një sistem financimi që shpërblen rezultatet e provuara, dhe jo vetëm aftësinë për të hartuar projekte. Financimi duhet të lidhet me tregues konkretë. Në varësi të projektit, këta duhet medoemos të përfshijnë sasinë e mbetjeve të trajtuara, sipërfaqen e habitatit të restauruar, përmirësimin e cilësisë së ujit ose uljen e presioneve mbi biodiversitetin.
Kemi nevojë dhe domosdoshmëri për organizata mjedisore aktive, të pavarura dhe profesionale. Kemi nevojë dhe domosdoshmëri për donatorë që kërkojnë rezultate konkrete në mjedis dhe për institucione publike që përmbushin detyrimet e tyre të transparencës, duke u mundësuar qytetarëve që të kontrollojnë se si përdoren fondet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.