Letër nga Brukseli: 15 vjet provë nga BE-ja, një padrejtësi për Ballkanin

Në shumicën e dokumenteve të rëndësishme që hartohen në Bruksel, ekziston një fjali që peshon më shumë se të gjitha të tjerat. Në paketën e përgatitur në prag të zgjerimit, të cilën Marta Kos e prezantoi në Strasburg më 6 tetor, kjo fjali gjendet drejt fundit të dokumentit, në kapitullin që trajton garancitë mbrojtëse që do të përfshihen në traktatet e ardhshme të anëtarësimit. Sipas dokumentit, klauzola e re institucionale mbrojtëse mund të zbatohet deri në 15 vjet pas anëtarësimit.
Nëse Mali i Zi arrin t’i bashkohet BE-së në vitin 2028, siç shpresojnë ende autoritetet në Podgoricë, atëherë vendi do të mbetej nën mbikëqyrje deri në vitin 2043. Një fëmijë që do të lindte në Cetinë ditën e anëtarësimit do të ishte pothuajse në gjysmën e arsimit të mesëm përpara se vendi i tij të trajtohej si një anëtar i barabartë me të gjithë të tjerët.
Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina, tri vendet e tjera që konsiderohen në pararojë të procesit të zgjerimit dhe që dokumenti duket qartë se i ka në fokus, do t’u nënshtroheshin të njëjtave rregulla, ndonëse anëtarësimi i tyre pritet të kërkojë më shumë kohë.
Prej dekadash e ndjek procesin e zgjerimit nga ky qytet, por nuk më kujtohet ndonjë propozim që t’u jetë drejtuar kaq hapur vendeve kandidate: dera është e hapur, por jo të gjitha dhomat që ndodhen pas saj janë njësoj të arritshme.
Megjithatë, paketa është më komplekse nga sa lënë të kuptohet titujt e lajmeve, ndaj është e nevojshme të sqarohet se çfarë parashikon konkretisht.
Klauzola institucionale synon të trajtojë shkeljet e rënda të vlerave themelore të BE-së, të përcaktuara në nenin 2 të Traktatit, si dhe shkeljen e detyrimit për bashkëpunim të sinqertë. Masat mund të shkojnë deri te pezullimi i së drejtës së votës së një shteti të ri anëtar në Këshill.
Në praktikë, instrumenti i parë i presionit do të ishte ai financiar. Propozimi do të paraqitej nga Komisioni Evropian ose nga një grup shtetesh anëtare që do të parashtronin një kërkesë të argumentuar. Ai do të konsiderohej i miratuar, përveç rastit kur Këshilli do ta rrëzonte me shumicë të cilësuar brenda afatit të përcaktuar. Brukseli e quan këtë mekanizëm votim me shumicë të kundërt: masa ndëshkuese miratohet automatikisht, ndërsa kundërshtarët e saj duhet të sigurojnë shumicën e nevojshme për ta bllokuar.
Krahas kësaj, parashikohen edhe tri mekanizmat tradicionalë mbrojtës të përdorur në zgjerimet e mëparshme, të cilët lidhen me ekonominë, tregun e brendshëm, si dhe drejtësinë dhe punët e brendshme. Në traktatet e anëtarësimit të viteve 2004, 2007 dhe 2013, këta mekanizma mund të aktivizoheshin për një periudhë trevjeçare. Kroacia, e cila mbetet anëtarja më e re e BE-së, u anëtarësua gjithashtu me një mekanizëm të tillë, që parashikonte një periudhë trevjeçare për fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme.
Ndryshe nga këto masa, klauzola e re institucionale do të kishte një kohëzgjatje pesë herë më të madhe. Komisioni kërkon gjithashtu që periudha e zbatimit të mekanizmave sektorialë të zgjatet dhe që zgjatja e saj të mund të vendoset mbi bazën e vlerësimit të vetë Komisionit. Një projekt-dokument që qarkullonte në Bruksel përpara prezantimit të paketës parashikonte një afat deri në dhjetë vjet. Në versionin përfundimtar, megjithatë, nuk përcaktohet një kohëzgjatje konkrete.
Por masat nuk përfundojnë këtu. Një klauzolë tjetër do të mundësonte shtyrjen e anëtarësimit nëse një vend do të tërhiqej nga reformat ose do të largohej nga standardet e kërkuara gjatë periudhës ndërmjet nënshkrimit të traktatit dhe datës së anëtarësimit.
Gjithashtu, një deklaratë politike e bashkëngjitur traktatit të anëtarësimit do t’i detyronte vendet e reja anëtare që, për një periudhë të kufizuar, të mos bllokonin vendimet për zgjerimet e ardhshme të BE-së për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Frika nga Orban-ë të rinj
Për hir të së vërtetës, logjika që qëndron pas gjithë këtyre masave nuk është e sajuar nga Komisioni Evropian.
Bilanci i Hungarisë e shpjegon këtë klimë shqetësimi. Pasi erdhi në pushtet në vitin 2010, Orban hartoi një kushtetutë të re, vuri Gjykatën Kushtetuese nën kontroll, detyroi qindra gjyqtarë të dilnin para kohe në pension, mori nën kontroll pjesën më të madhe të medias dhe riformatoi sistemin zgjedhor. Në Poloni, partia Ligj dhe Drejtësi vuri nën kontroll Gjykatën Kushtetuese dhe organin përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve. Ndërsa në Sllovaki, qeveria e Robert Fico-s ka shfuqizuar, që nga viti 2023, prokurorinë e posaçme kundër korrupsionit dhe e ka vendosur transmetuesin publik nën kontroll politik.
Për 16 vjet me radhë, Brukseli e ndoqi nga afër situatën në Budapest, ndërsa neni 7 i Traktatit, i njohur në gjuhën e përditshme si “opsioni bërthamor”, nuk arriti asgjë. Dhe kjo nuk ishte rastësi: mekanizmi nuk mund të funksiononte. Pezullimi i të drejtave të votës kërkon një shumicë prej katër të pestash për të konstatuar ekzistencën e një rreziku dhe unanimitet për të vërtetuar shkeljen, ndërsa Budapesti dhe Varshava mbronin njëra-tjetrën.
Procedurat kundër Polonisë u hapën në vitin 2017, ndërsa ato kundër Hungarisë në vitin 2018, por asnjëra nuk arriti kurrë në fazën e dytë. Nuk u vendos asnjë masë ndëshkuese. Në fund, Brukseli iu drejtua ngrirjes së fondeve, ndërsa procedurën kundër Polonisë e mbylli vetëm në vitin 2024, pas ndryshimit të qeverisë në Varshavë. Në dokumentin e vet, Komisioni Evropian pranon tashmë se këto pragje të larta vendimmarrjeje e bëjnë këtë instrument pothuajse të padobishëm pikërisht në momentet kur nevoja për të është më e madhe.
As koha e paraqitjes së këtij propozimi nuk është e rastësishme. Hungaria dhe Polonia iu bashkuan BE-së në vitin 2004. Orban-i siguroi shumicën prej dy të tretash gjashtë vjet më vonë, ndërsa partia Ligj dhe Drejtësi erdhi në pushtet në Poloni pas 11 vitesh anëtarësim. Të dyja krizat nisën brenda periudhës 15-vjeçare të mbikëqyrjes që parashikohet tani.
Edhe zotimi për të mos përdorur veton e ka zanafillën në rajonin tonë. Sllovenia e pengoi anëtarësimin e Kroacisë për shkak të mosmarrëveshjes mbi Gjirin e Piranit. Tani, Kroacia po ngadalëson procesin e anëtarësimit të Malit të Zi, duke refuzuar mbylljen e disa kapitujve të negociatave. Greqia e bllokoi Maqedoninë e Veriut për shkak të emrit të saj, ndërsa tani Bullgaria ka hapur një mosmarrëveshje lidhur me historinë dhe identitetin e vendit. Një rregull që do t’i pengonte anëtarët e rinj të vepronin në këtë mënyrë ndaj fqinjëve të tyre do të ishte një zhvillim i mirëpritur.
Pse 15 vjet nuk janë zgjidhja e duhur
Megjithatë, Komisioni Evropian ka nxjerrë përfundime të gabuara nga një diagnozë e saktë, dhe kjo për disa arsye.
Standardi i dyfishtë. Neni 7 dështoi në rastin e Hungarisë, një vend që është tashmë anëtar i BE-së. Përgjigjja e Komisionit nuk është reformimi i nenit 7 për të gjithë anëtarët, por krijimi i një mekanizmi të përshpejtuar që ndëshkon vetëm vendet e reja anëtare. Sipas këtij propozimi, Mali i Zi ose Shqipëria mund të humbnin të drejtën e votës në Këshill brenda pak javësh, përmes mekanizmit të shumicës së kundërt, ndërsa një shtet anëtar me përvojë, që do të kryente të njëjtat shkelje ose edhe më të rënda, do të vazhdonte të mbrohej nga kërkesa për unanimitet. Detyrimet janë të njëjta për të gjithë anëtarët. Vetëm mënyra e zbatimit të tyre do të varej nga viti kur një vend është anëtarësuar.
Dokumenti sugjeron, thuajse kalimthi, se procedurat e nenit 7 mund të trajtohen më mirë përmes marrëveshjeve ndërinstitucionale. Pikërisht kjo është reforma që nevojitet vërtet. Megjithatë, të jemi realistë: rishikimi i nenit 7 është pothuajse një mision i pamundur. Ai kërkon ndryshimin e traktateve dhe ratifikimin e tyre nga çdo shtet anëtar, çka krijon një paradoks: një qeveri që mbrohet nga vetoja do të duhej të votonte për të hequr dorë nga vetë mburoja e saj.
Rasti i Sllovakisë nxjerr në pah një tjetër mangësi të kësaj skeme. Masat e ndërmarra nga Fico erdhën gati dy dekada pas anëtarësimit të Sllovakisë, ndaj një klauzolë 15-vjeçare nuk do të kishte mundur t’i përfshinte. Edhe mbikëqyrja afatgjatë nuk është diçka e re. Bullgaria dhe Rumania iu nënshtruan një mekanizmi të posaçëm verifikimi për 16 vjet pas anëtarësimit të tyre në vitin 2007. Ky mekanizëm përfundoi në vitin 2023, pa u vendosur asnjë sanksion i vetëm.
Një arsye tjetër është se kjo klauzolë bie në kundërshtim, në mënyrë të tërthortë, me vetë filozofinë e procesit të anëtarësimit. Për vite me radhë, vendeve kandidate u është thënë se metodologjia është e rreptë dhe e bazuar në meritë, se grupkapitulli i çështjeve themelore, që përfshin sundimin e ligjit, hapet i pari dhe mbyllet i fundit, si dhe se ato duhet të dëshmojnë përparim të qëndrueshëm përmes rezultateve konkrete. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia përfshihen tashmë në Raportin vjetor për Sundimin e Ligjit. Nëse ky mekanizëm funksionon, pse një vend që e ka kaluar me sukses këtë proces do të kishte nevojë për 15 vjet mbikëqyrje? Nëse mekanizmi nuk jep rezultatet e duhura, atëherë ai duhet të reformohet përpara nënshkrimit të traktatit të anëtarësimit, dhe jo të pranohen vendet në BE për t’i mbajtur më pas nën dyshime dhe mbikëqyrje për gjysmën e një brezi. BE-ja e ka pasur gjithmonë fuqinë më të madhe ndikuese përpara anëtarësimit të vendeve kandidate. Një klauzolë që parashikon 15 vjet mbikëqyrje duket si një pranim se Brukseli nuk ka besim të plotë te vetë procesi i vlerësimit që ka ndërtuar.
Ekziston edhe një arsye politike. Në Ballkanin Perëndimor, zgjerimi është paraqitur gjithmonë si një premtim për barazi, si mundësia për t’u ulur më në fund në të njëjtën tryezë me të tjerët. Tani, qeveritë pro-evropiane në Tiranë ose Podgoricë do të duhet t’u shpjegojnë votuesve se, ndonëse do të ulen më në fund në të njëjtën tryezë me anëtarët e tjerë të BE-së, për ta do të ketë një vend të posaçëm, me një levë poshtë tryezës që të tjerët mund ta tërheqin kur të duan. Çdo nacionalist dhe çdo komentues i rajonit që mban qëndrime miqësore ndaj Moskës do ta mirëpresë këtë si një material të vyer për propagandën e vet.
Dhe, së fundi, kemi politizimin. Në një sistem të bazuar në shumicën e kundërt, një grup shtetesh anëtare që kanë një ankesë ose mosmarrëveshje me një vend të ri anëtar mund ta shndërrojnë një propozim të Komisionit në një sanksion pothuajse automatik. Dokumenti parashikon kontroll gjyqësor dhe rivlerësime periodike, dhe kjo ka rëndësi. Por 15 vjet janë një periudhë e gjatë në politikën evropiane, dhe ajo që konsiderohet shkelje e rëndë mund të interpretohet shumë ndryshe, në varësi të atyre që e bëjnë vlerësimin.
Përgjigjja e Komisionit është se vendet që i përmbushin siç duhet detyrimet do ta kalojnë këtë proces pa vështirësi. Komisionerja Marta Kos përsërit vazhdimisht se vendet që respektojnë sundimin e ligjit dhe vlerat e BE-së as që do ta ndiejnë zbatimin e mekanizmit mbrojtës. Kur e dëgjon këtë, tingëllon qetësuese. Por një shkop kërcënues i drejtuar vetëm ndaj vendeve të reja anëtare nuk e bën situatën më të pranueshme.
Ka mekanizma mbrojtës më të mirë
Asnjëra prej këtyre kritikave nuk do të thotë se mekanizmat mbrojtës duhen hequr. Një Bashkim Evropian me 30 ose më shumë anëtarë nuk mund të përballojë edhe 15 vite të tjera si ato që ka kaluar me Budapestin, ndërsa vendet kandidate duhet të pranojnë një periudhë prove të besueshme. Zotimi për të mos përdorur veton është vërtet i dobishëm.
Ajo që nevojitet është një marrëveshje më e drejtë. Klauzola institucionale duhet të ketë një afat më të shkurtër. Duhet të përcaktohen paraprakisht dhe qartë rrethanat që do të çonin në aktivizimin e saj. Njëkohësisht, duhet reformuar neni 7 për të 27 shtetet anëtare aktuale, në mënyrë që rregulli i ri të shërbejë si një urë drejt anëtarësimit të plotë dhe të barabartë, e jo si një vulë e përhershme e statusit të dorës së dytë.
Liderët e BE-së do ta diskutojnë paketën për herë të parë vetëm në samitin e 15 dhe 16 tetorit, dhe asnjë prej masave të saj nuk mund të hyjë në fuqi pa miratimin unanim të shteteve anëtare. Këtu qëndron ironia e gjithë kësaj nisme: për t’u hequr vendeve të reja anëtare mbrojtjen që u garanton unanimiteti, shtetet anëtare të vjetra duhet fillimisht të bien vetë dakord njëzëri për këtë ndryshim.
Megjithatë, çështja ka edhe një anë tjetër. Për shumë kryeqytete evropiane, pikërisht këto mekanizma mbrojtës e bëjnë zgjerimin të pranueshëm për opinionin publik vendas. Çdo traktat anëtarësimi duhet të ratifikohet nga parlamenti i secilit shtet anëtar, ndërsa në Francë ka të ngjarë të kërkohet edhe referendum. Kjo është arsyeja e vërtetë pas numrit magjik 15. Ky afat u përcaktua më shumë për votuesit brenda BE-së sesa për vendet kandidate.
Prova e vërtetë do të vijë gjatë negociatave për kapitujt që lidhen me institucionet dhe çështje të tjera, ku Komisioni Evropian do t’i shndërrojë këto klauzola në dispozita konkrete të traktateve, duke nisur me Malin e Zi. Kos thotë se Podgorica mund ta nënshkruajë traktatin e anëtarësimit që verën e ardhshme. Çfarëdo që të përfshihet në të, do të shërbejë si model për traktatet pasuese, të cilave mund t’u shtohen edhe kërkesa të reja.
Mali i Zi, që shpreson të bëhet anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2028, ka një mundësi të rrallë për të negociuar jo vetëm kushtet e anëtarësimit të vet, por edhe kushtet që do të zbatohen për të gjitha vendet që do të vijnë më pas.
Pesëmbëdhjetë vjet janë një kohë e gjatë për të qëndruar në korridorin e një shtëpie ku tashmë je ftuar të hysh. Bashkimi Evropian duhet të pyesë veten nëse po përpiqet të mbrohet nga anëtarët e rinj, apo nga paaftësia e vet për t’i vënë nën kontroll problemet që shkaktojnë anëtarët e vjetër.
Gjeraqina Tuhina është gazetare në Bruksel.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.