“Zvërneci”, Rama: Ka shprehje interesi, jo një projekt. Marrëveshja është private
Kryeministri Edi Rama, në një takim me gazetarë dhe përfaqësues të mediave nga vendet e Bashkimit Europian, ka dhënë sqarime mbi Zvërnecin. Ai theksoi se projekti i parashikuar në Zvërnec dhe ai në ishullin e Sazanit janë dy iniciativa të ndryshme, pa lidhje mes tyre.
Rama deklaroi se kompania për projektin e parashikuar për t’u zhvilluar në Zvërnec është krijuar dhe ka shprehje interesi, por marrëveshja është private. Ai hodhi poshtë akuzat se vendi po i shitet privatit, duke nënvizuar se çdo pronar privat në Shqipëri ka të drejtën të kërkojë leje për vendosjen e një gardhi rrethues në pronën e tij.
“Zvërneci dhe ishulli janë dy projekte të ndryshme, nuk janë i njëjti projekt. Gjithë kohën publikohet ishulli, protestuesit gardhi, për të krijuar diçka që është e neveritshme. Po ta shohësh nga këndvështrim i dikujt që jo vetëm është në bulevard, por në Austri apo Amerikë dhe ta nxjerrësh Shqipërinë si një republikë bananesh ku vendi shitet sepse ka një kryeministër që i shërben oligarkëve? Kjo është e neveritshme, por a është e vërtetë? Ju mendoni se keni sjellë fakte që provojnë të kundërtën e asaj që unë po them, por jo. Kompania është krijuar, shprehja e interesit është e pranishme, dhe marrëveshja është private. Unë nuk njoh ndonjë vend në sferën demokratike që mund t’i ndalojë privatët të bëjnë marrëveshje midis tyre. Nuk njoh ndonjë vend ku qeveria apo institucionet janë proaktive dhe i thonë privatit mos guxoni të lidhni marrëveshje. Çdo privat në këtë vend ka të drejtën të kërkojë leje për të vendosur një gardh rrethues në pronën e tij. Të luftosh kundër gardheve të pronave private?? Çfarë do të thotë kjo?!”, tha ai.
Kreu i qeverisë mohoi gjithashtu pretendimet se ligji për mjedisin është ndryshuar për të favorizuar ngritjen e këtij projekti.
“Për të treguar faktet, rrugën e ndjekur dhe çdo gjë lidhur me ligjin për mjedisin e gjithçka lidhur me këtë informacion krejt të pavërtetë që ne ndryshuam ligjin që kjo të ndodhte. Kjo është gënjeshtër dhe jam gati ta provoj këtë me fakte. Përgjigjja ishte ne nuk flasim, nuk dëgjojmë, ti duhet të japësh dorëheqjen”, theksoi Rama.
Ai shtoi se ka kërkuar të dialogojë me protestuesit për t’u treguar faktet dhe rrugën e ndjekur, por është refuzuar.
“Kur ka një proces të tillë, një marrje e dhënie me autoritete për një projekt, kemi protokolle që vërtetojnë se ky vend funksionon si një vend europian. Kemi protokolle që provojnë se investuesve ju janë thënë shumë gjëra për cenueshmërinë e zonës, për parametrat, dendësinë e të tjera gjëra. Nuk kishte të bënte me asgjë tjetër, por me një ndjenjë që është koha jonë të marrim kontroll. E thash që ditën e parë që kush është i interesuar të flasë për këtë, unë jam këtu. Përgjigjja e tyre ishte: ‘Ne nuk flasim, nuk dëgjojmë, ti duhet të japësh dorëheqjen’,” u shpreh kryeministri.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.