31 vatra zjarri u regjistruan në vend, Ministria e Mbrojtjes: 11 ende aktive. Vijon puna për menaxhimin e situatës
Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një përditësim të fundit lidhur me situatën e zjarreve në vend deri në orën 20:00. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se janë regjistruar 31 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive dhe 2 janë nën monitorim.
Sipas ministrisë, për menaxhimin e situatës janë angazhuar 396 forca operacionale dhe 41 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 120 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Sipas njoftimit, në Malin e Dajtit po viijon puna për shuarjen e zjarrit, me mbështetjen e 50 efektivëve të FA dhe 2 helikopterëve të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Priskë-Gurrë e Madhe-Farkë-Lundër është nën kontroll dhe monitorim.
Në Gurë-Lurë gjithashtu po vijon operacioni në një perimetër të gjerë. Ministria bën me dije se janë angazhuar 150 forca bashkiake, 20 policore, 11 ADZM, 15 efektivë MZSH dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Gjithashtu janë hapur korridore që kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmes, Dibër në terren janë 11 efektivë MZSH, 27 forca bashkiake dhe 20 efektivë të FA. Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon aktiv në drejtim të Selishtës.Abazaj, Krujë – Vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe pa rrezik për zonat e banuara; zjarri në Zidoll është në monitorim.
Në Lufaj, Mirditë po vijon puna për hapjen e korridoreve ndarëse, pavarësisht terrenit të vështirë dhe bimësisë së dendur. Nuk ka rrezik për banesat.
Në Fushë-Lajë, Pukë mësohet se zjarri mbetet aktiv në terren shumë të thyer, që vështirëson ndërhyrjen e forcave të MZSH. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Aktive mbeten vatrat në Sotirë, Libohovë dhe Krahës. Në Libohovë zjarri po shkon drejt izolimit, ndërsa në të gjitha rastet nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Gjormë, Selenicë raportohet se vatra është vënë nën kontroll nga MZSH dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Dardhë, Librazhd po vijon puna nga MZSH, shërbimi pyjor dhe forcat bashkiake për shuarjen e zjarrit. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.