45 organizata të shoqërisë civile u bëjnë thirrje partive të arrijnë marrëveshje për presidentin deri më 6 tetor
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat paralajmërojnë se dështimi për të zgjedhur Presidentin do të sillte shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja.
45 organizata të shoqërisë civile në Kosovë u kanë bërë thirrje partive parlamentare që të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes deri më 6 tetor, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, siç njofton KosovaPress.
Në deklaratën e përbashkët, organizatat nënshkruese kërkojnë që partitë politike të angazhohen menjëherë për funksionalizimin e institucioneve dhe të shmangin një tjetër shpërndarje të Kuvendit dhe cikël zgjedhor. Sipas tyre, dështimi i sërishëm për të zgjedhur Presidentin do ta vendoste vendin përballë një tjetër ngërçi institucional, pa pasur garancë që zgjedhjet do të ishin zgjidhje e mosmarrëveshjeve që e mbajnë të hapur këtë çështje.
Organizatat theksojnë se vonesat institucionale nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjen e kreut të shtetit: prej dy vitesh, institucionet e Kosovës kanë funksionuar në kushte të mandatit të kufizuar ose në detyrë, dhe një tjetër bllokadë do ta thellonte krizën, duke dobësuar më tej demokracinë, kontrollin demokratik, mundësitë për zhvillim ekonomik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.
Nga shumica parlamentare, organizatat kërkojnë të jetë e hapur ndaj kandidaturave që mund të sigurojnë mbështetje më të gjerë ndërpartiake, ndërsa nga partitë opozitare presin propozime konkrete dhe angazhim për një zgjidhje të realizueshme. Ndër nënshkruesit janë instituti KDI, instituti GAP, Demokraci për Zhvillim (D4D), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile dhe dhjetëra organizata të tjera. Ato ofrohen edhe të lehtësojnë diskutimet eventuale në ditët e mbetura deri në afat.
Afati 60-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit përfundon më 6 tetor. Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë kreun e shtetit brenda këtij afati, Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditësh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.