82-vjetori i Çlirimit, Nufi: Liria është trashëgimia e brezave të kaluar dhe përgjegjësia jonë ndaj së ardhmes!
Në 82-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka përcjellë një mesazh përkujtimor, duke nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe të gjithë atyre që luftuan kundër pushtuesve nazifashistë.
Në reagimin e tij, Nufi e cilëson lirinë si trashëgimi të brezave të kaluar dhe përgjegjësi për brezat e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe përkushtimit ndaj Atdheut.
POSTIMI I NUFIT:
29 Nëntori 1944 shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Pas viteve të pushtimit, qëndresës dhe sakrificave të mëdha, Shqipëria fitoi lirinë e saj.
Lufta Nacionalçlirimtare mbetet dëshmi e guximit, trimërisë dhe shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve, të cilët u ngritën në mbrojtje të atdheut, duke i dhënë Shqipërisë vendin e saj përkrah popujve që luftuan kundër nazifashizmit.
Sot, në 82-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, përulemi me nderim përpara kujtimit të dëshmorëve dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj të gjithë atyre që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e atdheut.
Liria është trashëgimia që na lanë brezat e djeshëm, por edhe përgjegjësia që kemi ndaj brezave të nesërm.
Ta nderojmë sakrificën e tyre jo vetëm me kujtesë, por edhe me përkushtimin tonë të përditshëm ndaj atdheut, sovranitetit dhe sigurisë së Republikës së Shqipërisë.
Lavdi dëshmorëve të atdheut!
Gëzuar Ditën e Çlirimit!



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.