Garda e Republikës kërkon rritje pagash pas shpërblimit 2500 euro për policët: Prej 25 vitesh nuk vlerësohemi
Sindikata e Gardës i kërkon Ministrisë së Financave një program konkret për pagat, në një kohë kur qeveria ka miratuar shpërblimin financiar për efektivët e Policisë së Shtetit të angazhuar gjatë protestave të fundit
Punonjësit e Gardës së Republikës kërkojnë rishikimin urgjent të pagave të tyre, duke ngritur shqetësimin se nuk trajtohen financiarisht në përputhje me përgjegjësinë dhe specifikën e detyrës që kryejnë.
Siç njofton BalkanWeb, përmes një reagimi publik Sindikata e Gardës u bën thirrje strukturave përgjegjëse dhe Ministrisë së Financave të hartojnë një program konkret për rritjen e pagave. Sipas sindikatës, institucioni nuk është vlerësuar siç duhet që nga viti 2001 dhe diferenca historike prej 15 mijë lekësh me institucionet e tjera të sigurisë është zhdukur me kalimin e viteve.
Punonjësit argumentojnë se gatishmëria e përhershme, presioni dhe përgjegjësia për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore, vendase dhe të huaja, kërkojnë një trajtim financiar të diferencuar. “Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet”, thuhet në reagimin e sindikatës, e cila kërkon hapa konkretë dhe paralajmëron se çështja e rritjes së pagave nuk mund të lihet më në harresë.
Reagimi i Gardës vjen në një kohë kur qeveria ka miratuar shpërblimin financiar prej 2500 eurosh për mijëra punonjës të Policisë së Shtetit, për angazhimin e tyre të shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike pas përplasjeve me studentët në protestat e dy javëve të fundit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.