☀️
Tiranë 29°C · Kthjellët 28 July 2026
S&P 500 7,431 ▲0.24%
DOW 52,796 ▲1.12%
NASDAQ 24,883 ▼0.2%
NAFTA 79.28 ▼4.03%
ARI 4,024 ▼1.29%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057
₿ CRYPTO
BTC $63,749 ▼ -1.68% ETH $1,912 ▼ -1.19% XRP $1.0559 ▼ -2.97% SOL $73.8700 ▼ -2.09%
S&P 500 7,431 ▲0.24 % DOW 52,796 ▲1.12 % NASDAQ 24,883 ▼0.2 % NAFTA 79.28 ▼4.03 % ARI 4,024 ▼1.29 % S&P 500 7,431 ▲0.24 % DOW 52,796 ▲1.12 % NASDAQ 24,883 ▼0.2 % NAFTA 79.28 ▼4.03 % ARI 4,024 ▼1.29 %
EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057 EUR/USD 1.1379 EUR/GBP 0.8552 EUR/CHF 0.9310 EUR/ALL 93.7934 EUR/MKD 61.4942 EUR/RSD 117.4532 EUR/TRY 53.8741 EUR/JPY 186.27 EUR/CAD 1.6057
28 Jul 2026
Breaking
Opinion

Agroni të shpjegojë pse ia futi vrapit

Nga Mero Baze

Të gjitha arsyetimet e Agron Shehajt për rrëmbimin e marrëveshjes sekrete nga zyra e Kuvendit i kuptoj si një përpjekje e lavdërueshme për shfajësim.

E kuptoj kur thotë se donte ta lexonte me qetësi, se në sallë ka siklet ngaqë shokët i mbajnë sytë nga ai.

E kuptoj kur thotë se donte ta skanonte, t’ia jepte ChatGPT-së dhe ajo t’i shpjegonte çfarë ishte shkruar dhe cili ishte qëllimi i marrëveshjes.

E kuptoj kur thotë se donte t’ia tregonte sekretares së tij, që të mburrej se i kishin besuar të lexonte një dokument sekret.

E kuptoj kur thotë se është deputet dhe bën çfarë të dojë. E kuptoj kur pretendon se donte t’ua tregonte ndjekësve të vet në Facebook, që të rrinin të qetë se ai e kishte lexuar marrëveshjen sekrete.

E kuptoj edhe nëse do të duket si Donald Trump apo Joe Biden, që edhe ata kanë përfunduar në telashe me dokumente sekrete të mbajtura në shtëpitë e tyre të pushimit: njëri sepse nuk donte t’i kthente, tjetri sepse nuk mbante mend ku i kishte lënë.

E kuptoj kur thotë se donte të provonte gatishmërinë e stafit të Kuvendit për të ruajtur sekretin.

E kuptoj kur thotë se deshi të sfidonte Taulant Ballën, që hiqet si proamerikan.

Madje e kuptoj edhe nëse thotë se donte të konsultohej me tezen e Tikut Lapaj, njëra si shtetase greke e ky si shtetas italian, për të gjykuar rrezikun që paraqiste marrëveshja për vendet fqinje.

Pra, i kuptoj të gjitha përpjekjet e Agronit për të thënë broçkulla edhe më të mëdha se vetë budallallëku që bëri, vetëm që ajo të duket diçka normale.

I kuptoj edhe ata që e torturojnë me pyetje. E kuptoj Edi Ramën, që nuk di ç’e ka kapur të lexojë në këtë moshë Shefqet Musarajn e ta krahasojë Agronin me ballistët që hanë pula vetëm në vargjet e Shefqetit.

E kuptoj zemërimin e grave socialiste që revoltohen për sekretaren e rrëzuar.

E kuptoj edhe heshtjen e Albana Vokshit, që reagon edhe kur e shohin burra në rrugë pa i kushtuar vëmendje, duke i quajtur patronazhistë.

E kuptoj edhe sikletin e analistëve e gazetarëve që prej kohësh janë në listën e pagesave të Agronit, i vetmi deputet që financon publikisht media dhe gazetarë, dhe që përpiqen ta paraqesin këtë si një akt heroik kundër imperializmit amerikan.

Por ma shpjegoni vetëm një gjë, se këtë nuk e kuptoj dot.

Pse ia futi vrapit?

Nëse situata është kaq normale sa e vizatojnë avokatët e tij dhe arsyetimet e tij banale janë të vërteta, duhet të na shpjegojë pse ia futi vrapit. Vrapit ia fut vetëm dikush që është i ndërgjegjshëm se ka vjedhur diçka që nuk lejohet dhe nuk do që ta kapin as fizikisht derisa ta çojë në vendin që dëshiron. Agroni e vodhi dokumentin sekret dhe ia futi vrapit.

Tani dakord jam me të gjitha arsyetimet, por të gjithë ata që duan ta mbrojnë dhe ata që duan ta sulmojnë duhet të nisen nga statusi i tij si hajdut, jo si deputet.

Kështu ka kuptim debati, pasi ai nuk u kap vetëm duke vjedhur, por u kap duke ikur me vrap me mallin e vjedhur në dorë. Pra, një hajdut që e dinte çfarë kishte bërë.

Ky është një ndryshim i madh dhe nuk vlen asnjë nga arsyetimet që ai bën apo të tjerët bëjnë për të. Ato do të vlenin nëse ky do ta kishte vjedhur atë dokument me arrogancë dhe do të ecte serbes drejt zyrës së tij. Ai e vodhi dhe ia futi vrapit. Siç mund të bëjë një emigrant në Itali, nëse, kur i zë syri diçka që do të donte ta kishte, por s’e blen dot. Ndaj mos diskutoni për kontratën sekrete, as për faktin që Agroni theu ligjin duke e nxjerrë nga zyra. Na shpjegoni pse ia futi vrapit.

Nëse nuk e gjeni dot po ju ndihmoj unë. Është i vetmi zakon që tradhton një hajdut xhepash. Kështu ndoshta mund ta shpëtoni duke e cilësuar rrethanë lehtësuese.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.