Liderët e Ballkanit dhe Evropës mblidhen në Mal të Zi, Telegrafi e mbulon nga afër Samitin e Procesit të Berlinit
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë evropianë do të mblidhen sot në Mal të Zi për Samitin e Procesit të Berlinit. Bashkëpunimi rajonal, integrimi ekonomik dhe afrimi me Bashkimin Evropian pritet të jenë në qendër të diskutimeve.
Takimin në zonën e Shën Stefanit–Milloçerit është planifikuar ta hapin kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz. Pjesëmarrës do të jenë edhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.
Telegrafi do ta mbulojë nga afër samitin, duke sjellë deklaratat e liderëve, zhvillimet kryesore dhe vendimet që lidhen me Kosovën dhe rajonin.
Krahas nikoqirit Spajiq, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tashmë ndodhet në Mal të Zi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe Gjuro Macut nga Serbia.
Kurti ka udhëtuar të mërkurën drejt Malit të Zi. Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë qëndrimit janë paraparë edhe takime dypalëshe.
Nga samiti pritet të dalin marrëveshje dhe nisma të reja për avancimin e bashkëpunimit rajonal. Megjithatë, sfidë mbetet zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese, përfshirë ato për lëvizjen e lirë dhe integrimin ekonomik.
Në këtë drejtim, rëndësi ka që zotimet e samiteve të mëparshme të shoqërohen me rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Kurti takoi Marta Kosin në prag të samitit
Në margjinat e samitit, Kurti ka zhvilluar më 21 tetor një takim me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Pas takimit, ai ka kërkuar mbështetje nga Komisioni Evropian për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësimin e Kosovës në BE. Kryeministri ka kërkuar që përparimi demokratik i Kosovës dhe harmonizimi me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian të reflektohen në hapa konkretë drejt anëtarësimit.
“Me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtojë reformat”, ka shkruar Kurti.
Ai ka përmendur miratimin e ligjit të fundit për integrimin në SEPA dhe ka paralajmëruar nisjen e negociatave për përfshirjen në zonën pa tarifa shtesë të roamingut.
Kurti ka theksuar gjithashtu se Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet e Procesit të Berlinit, përfshirë njohjen e diplomave, duke kërkuar zbatimin e tyre nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë.
Mali i Zi pret mbështetje për rrugën drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Punë të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, ka deklaruar se Procesi i Berlinit synon forcimin e bashkëpunimit rajonal si përgatitje për anëtarësimin në BE.
Duke folur për RTCG-në, ai ka thënë se samiti do të jetë mundësi për mesazhe të fuqishme mbi bashkëpunimin dhe perspektivën evropiane të rajonit.
“Presim që të vlerësohet përparimi i Malit të Zi dhe të theksohen arritjet e muajve të fundit”, është shprehur Ivanoviq.
Këto pritje lidhen edhe me synimin e Malit të Zi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2028.
Ndër zhvillimet e pritshme nga samiti është avancimi drejt negociatave për heqjen e tarifave të roamingut ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Në fokus pritet të jenë edhe mbështetja për bizneset e reja, qasja në financim dhe zvogëlimi i pengesave administrative për investitorët.
Berlin Process Leaders’ Summit – Doorstep and Handshake – English language www.youtube.com
Sipas agjendës për mediat, mbërritja e delegacioneve dhe deklaratat para gazetarëve janë planifikuar nga ora 09:30 deri në 10:15. Seanca hapëse nis në orën 10:20, ndërsa konferenca për media e Spajiqit dhe Merzit parashihet në orën 13:00. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.