AGSH: Policia e Shtetit të garantojë lirinë e raportimit dhe të mos pengojë gazetarët gjatë protestave
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë bëri me dije se ka marrë raportime të shumta për pengimin e ekipeve të mediave gjatë protestave të sotme në Kuvend nga ana e Policisë së Shtetit.
Në një njoftim të shpërndarë për media AGSH shprehet se gazetarët, operatorët dhe fotografët janë penguar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre dhe u është kufizuar lëvizja e lirë në zonat ku kishte grumbullime.
“AGSH shpreh shqetësimin për këto raportime dhe rikujton se gazetarët dhe punonjësit e medias kanë të drejtë të raportojnë lirisht nga protestat dhe ngjarjet me interes publik, pa u përballur me pengesa të pajustifikuara nga autoritetet shtetërore.
Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të krijojë kushtet e nevojshme për ushtrimin e lirë të profesionit të tyre, dhe jo të kufizojë në mënyrë arbitrare aksesin dhe lëvizjen e tyre.
AGSH thekson se masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike nuk mund të përdoren si justifikim për pengimin e raportimit gazetaresk.
Çdo kufizim duhet të ketë bazë ligjore, të jetë i domosdoshëm dhe proporcional, si dhe të mos cenojë në mënyrë të pajustifikuar të drejtën e publikut për t’u informuar.
U bëjmë thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar që efektivët në terren të respektojnë punën e gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve, duke shmangur çdo ndërhyrje apo pengesë të panevojshme gjatë raportimit.
Prania e medias në protesta nuk është privilegj që jepet nga policia, por pjesë e ushtrimit të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar”, thuhet në deklaratën e AGSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.