Ajden Nora sjell monofoninë, Gonxhja: Gjirokastra traditë që përcillet brez pas brezi
Gjirokastra me shtëpitë karakteristike dhe arkitekturën e saj unike, vijon të frymëzojë brezat e rinj dhe të jetë pjesë e krijimtarisë artistike.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau sot një video ku promovon talentin e të riut Ajden Nora, duke vënë në dukje mënyrën se si trashëgimia kulturore po përcillet përmes artit dhe muzikës.
“Kur tradita gjen zërin e brezit të ri. Gjirokastra nuk është vetëm gur, histori dhe arkitekturë. Ajo është edhe zë, këngë dhe një traditë që përcillet brez pas brezi. Në një nga banesat karakteristike më të bukura dhe më monumentale të qytetit, tek “Zekatet”, zëri i Ajden Nora sjell një nga më të veçantat e trashëgimisë sonë muzikore: monofoninë”, theksoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “në traditën tonë i kemi kënduar gjithçkaje që ka prekur jetën dhe shpirtin e njeriut, luleve, bukurisë, vajzave, dashurisë, gëzimit, dhimbjes, jetës e lindjes”.
“Por këtë herë, kënga i kushtohet Gjirokastrës. Gurit të saj, shtëpive të saj, arkitekturës së saj të veçantë, asaj bukurie që nuk është thjesht për t’u parë, por edhe për t’u ndjerë e për t’u kënduar. Dhe ndoshta ky është një nga treguesit më të bukur se një traditë është ende e gjallë: kur një brez i ri nuk e sheh si të shkuarën, por e merr në zërin e tij dhe e bën pjesë të së ardhmes. Kësaj here nuk i këndojmë vetëm Gjirokastrës. Kësaj here, Gjirokastra këndohet”, vijoi ai.
Monofonia është këngë me një zë. Kënga monofonike është një mënyrë të kënduari shumë e vjetër, ku këngëtari interpreton dukshëm dy zëra marrësin dhe kthyesin ose këndohet nga dy persona që janë në rolin e marrësit dhe tjetri është kthyesi, por që gjithsesi interpretojnë gjithë zërat e tjerë të grupit duke u bashkuar në një zë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.