Aksion i madh i policisë në Serbi: 19 të arrestuar në mbi 70 lokacione në operacionin kundër grupit “vračarci”
Policia serbe dhe BIA-ja arrestuan 19 persona në nëntë qytete, në vazhdimin e aksionit kundër rrjetit kriminal “vračarci”. Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 2,5 kilogramë kokainë, armë zjarri, telefona të kriptuar dhe rreth 40.000 euro.
Në vazhdimin e aksionit të gjerë kundër grupit kriminal të njohur si “vračarci”, pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) arrestuan dje 19 persona në më shumë se 70 lokacione në mbarë vendin, siç njofton agjencia RINA duke iu referuar njoftimit të MPB-së serbe. Sipas raportimeve të mediave serbe, bastisjet e njësive speciale nisën në orët e hershme të mëngjesit të 14 tetorit.
Aksioni u zhvillua në Beograd, Novi Sad, Pozharevc, Loznicë, Smederevë, Kralevë, Uzhicë, Prokuplje dhe Shabac. Në të morën pjesë pjesëtarë të Policisë Kriminale — Shërbimi për Luftën kundër Krimit të Organizuar, Shërbimi për Luftën kundër Drogës dhe shërbime të tjera — si dhe Njësia Speciale Antiterroriste (SAJ), Xhandarmëria dhe njësi të tjera, në bashkëpunim me prokuroritë themelore të Beogradit dhe të qyteteve ku u zhvilluan kontrollet.
Të dyshuarit ngarkohen për prodhim, mbajtje dhe tregtim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese, për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogës, si dhe për falsifikim dokumentesh. Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi rreth 2,5 kilogramë substancë që dyshohet se është kokainë, si dhe marihuanë, LSD, amfetaminë dhe substanca të ndaluara dopingu.
U sekuestruan gjithashtu shtatë armë zjarri — katër pistoleta, një pistoletë automatike dhe dy revolverë — një replikë pistolete, një hark, një pistoletë sinjalizuese me municionin përkatës, peshore precize dhe një makinë për paketimin e drogës. Policia konfiskoi edhe rreth 40.000 euro dhe rreth 700.000 dinarë, katër automjete, një skuter, 39 telefona celularë dhe shtatë telefona të kriptuar, si dhe ora luksoze dhe fletore me evidenca të shitjes së drogës.
Gjatë aksionit u arrestuan edhe tre persona për të cilët ishin lëshuar urdhër-arreste dhe kërkime. MPB-ja njoftoi se aksioni është ende në vazhdim në disa lokacione të tjera në vend, ndërsa të arrestuarit do të dërgohen para prokurorive kompetente bashkë me kallëzimet penale. Mediat serbe e lidhin këtë valë arrestimesh me hetimin e zgjeruar kundër rrjetit “vračarci”, në kuadër të të cilit një ditë më parë u raportua edhe për arrestime në hetimin për dy vrasje, me shtrirje në tri shtete evropiane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.