IKD publikon hulumtimin parlamentar për ndërhyrjet e nevojshme në Projektligjin për Byronë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot hulumtimin parlamentar “Ndërhyrjet e nevojshme para miratimit përfundimtar të Ligjit për Byronë”.
Sipas një njoftimi për media thuhet se me prezantimin e këtij raporti, IKD ka nisur serinë e prezantimeve të tri hulumtimeve parlamentare, përmes së cilave paraqiten propozime konkrete për amendamente në projektligje të ndryshme.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, i cili prezantoi raportin, tha se ai është përgatitur për fazën ndërmjet dy leximeve në Kuvend.
“Ky nuk është vetëm një raport që liston probleme. Është një dokument praktik, i përgatitur për fazën ndërmjet dy leximeve në Kuvend”, tha Shala.
Po ashtu siç thuhet në njoftim raporti paraqet gjashtë propozime për amendamente të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas Shalës, versioni aktual i Projektligjit është më i avancuar se draftet paraprake, por disa çështje të rëndësishme ende kërkojnë adresim.
“Propozimi i parë lidhet me zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm dhe të anëtarëve të Komisionit Mbikëqyrës që zgjidhen nga Kuvendi. IKD propozon që këto pozita të kërkojnë së paku 61 vota, me qëllim të forcimit të pavarësisë së Byrosë”, thuhet në njoftim.
Siç thuhet në njoftim propozimi i dytë parasheh themelimin e një Divizioni për Konfiskim Civil edhe në Gjykatën e Apelit. Raporti argumenton se specializimi gjyqësor i paraparë në shkallën e parë duhet të sigurohet edhe në shkallën e dytë.
“Një tjetër propozim synon të zëvendësojë kriterin “në masë të madhe më e lartë” për zgjerimin e verifikimit pas përfundimit të funksionit publik me një prag të matshëm. Sipas propozimit, verifikimi mund të zgjerohet deri në pesë vjet pas përfundimit të funksionit, kur mospërputhja ndërmjet vlerës së pasurisë së fituar dhe të hyrave të ligjshme gjatë së njëjtës periudhë tejkalon 25 mijë euro”.
Po ashtu siç thuhet në njoftim raporti propozon gjithashtu që Gjykata ta vlerësojë paraprakisht bazueshmërinë e propozimit për konfiskim.
“Barra e provës do t’i kalonte palës vetëm pasi Gjykata ta konfirmojë propozimin me vendim të formës së prerë. Amendamenti parasheh edhe efekt pezullues për ankesën kundër vendimit të konfirmimit. Një propozim tjetër lidhet me kompensimin kur procedura përfundon pa konfiskim. Raporti trajton dëmet që mund të shkaktohen nga kufizimi i përdorimit ose disponimit me pasurinë, humbja e vlerës së saj dhe shpenzimet e drejtpërdrejta të procedurës. Propozimi përcakton edhe llojet e dëmit që mund të kërkohet të kompensohen, Gjykatën kompetente dhe afatin për paraqitjen e kërkesës”.
Propozimi i gjashtë siç thuhet në njoftim synon t’ia njohë palës së tretë të drejtën për ta kundërshtuar në Gjykatë vendimin për zgjerimin e verifikimit. Raporti argumenton se garancitë që pala e tretë i gëzon në fazat e mëvonshme nuk e zëvendësojnë kontrollin gjyqësor të vendimit me të cilin ajo përfshihet në procedurë.
IKD vlerëson se krijimi i një mekanizmi për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është qëllim i rëndësishëm dhe legjitim, por se kuadri ligjor duhet të jetë i qartë, i parashikueshëm dhe i pajisur me garanci të mjaftueshme procedurale. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.