Deputetet alarmojnë për dhunën pas tragjedive në Gjilan: Kërkohet reagim urgjent nga institucionet
Jehona Lushaku-Sadriu dhe Arbreshë Kryeziu kërkuan në Kuvend veprim të shpejtë të Policisë, Prokurorisë dhe gjykatave pas vrasjeve të fundit, duke theksuar se çdo kërcënim i raportuar duhet trajtuar me seriozitet.
Tragjeditë e ditëve të fundit në Gjilan dhe rritja e rasteve të dhunës në vend kanë alarmuar deputetet e Kuvendit të Kosovës, të cilat në seancën e sotme plenare kërkuan reagim serioz dhe urgjent nga institucionet dhe nga e gjithë shoqëria, siç njofton KosovaPress.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se Kosova ditëve të fundit është tronditur nga vrasje të rënda dhe raste të tjera dhune, të cilat e përballin vendin me një realitet tepër shqetësues. Sipas saj, dhuna në familje, dhuna ndaj grave, kërcënimet dhe konfliktet që përfundojnë me humbje jetësh po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe kjo gjendje kërkon reagim serioz, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga gjithë shoqëria.
Lushaku-Sadriu ka ngritur shqetësimin edhe për përhapjen e dhunës verbale në familje, në rrugë, në rrjete sociale dhe në debatet publike. Ajo ka kërkuar që Policia t’i marrë tepër seriozisht kërcënimet, që Prokuroria dhe gjykatat të veprojnë në kohë, si dhe që armët ilegale të largohen nga duart e personave që rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Për të njëjtën temë ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu, e cila u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rasteve dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë. Kryeziu ka theksuar se java që lamë pas ishte ndër më të rëndat për qytetin e Gjilanit, ku dy raste vrasjesh morën tre jetë, duke lënë pas familje në zi dhe një qytet të tronditur.
Deputetet kanë kërkuar që çdo kërcënim i raportuar të trajtohet me seriozitetin maksimal nga institucionet e rendit dhe të drejtësisë, në mënyrë që rastet e dhunës të parandalohen para se të përfundojnë në tragjedi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.