Aksionet e Deutsche Bank bien mbi 5 për qind pas raportimeve mbi dokumente të rrjedhura për klientë si oligarkët rusë, Trump dhe Epstein
Deutsche Bank u mbrojt të martën pas një serie raportimesh të një konsorciumi ndërkombëtar gazetarësh, të bazuara në dokumente të rrjedhura që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e bankës me klientë si oligarkë rusë, presidenti amerikan Donald Trump dhe financieri i ndjerë Jeffrey Epstein, siç njofton Reuters. Banka tha se ngjarjet e raportuara “datojnë shumë vite më parë” dhe se ajo i ka përmirësuar kontrollet.
Raportimet u botuan, ndër të tjera, në Der Spiegel, Financial Times dhe New York Times. Sipas New York Times, ato bazohen në 15 milionë dokumente të rrjedhura, përfshirë email-e dhe procesverbale takimesh, të siguruara nga dy gazetarë, njëri nga India dhe tjetri nga Afrika e Jugut, dhe të analizuara nga një konsorcium prej më shumë se 200 gazetarësh. Reuters thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë menjëherë raportimet.
“Çështjet që janë në fokus të raportimeve mediatike datojnë shumë vite më parë, në disa raste deri në dy dekada”, tha banka në një deklaratë. “Deutsche Bank është sot një bankë ndryshe dhe mbetet e përqendruar në zbatimin e strategjisë së saj, e cila ka rezultuar e suksesshme, siç dëshmojnë fitimet rekord në vitin 2025 dhe në tremujorët e fundit”, shtoi ajo.
Reagimi në treg ishte i menjëhershëm: aksionet e bankës u treguan 2.7 për qind më të ulëta në tregtimin para hapjes së bursës dhe ranë 5.04 për qind gjatë tregtimit të mëngjesit të së martës në Frankfurt, duke tërhequr poshtë edhe indeksin evropian STOXX 600, i cili humbi 0.64 për qind.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.