Aktori George Clooney: Qeveria amerikane drejtohet nga njerëzit më pak të kualifikuar
Aktori amerikan George Clooney deklaroi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po drejtohen nga “njerëzit më pak të aftë”, ndërsa shprehu shpresën se vendi mund t’i rikthehet “normalitetit” pas zgjedhjeve të ardhshme të mesmandatit.
“Nuk është e lehtë të jetosh në një vend që drejtohet nga njerëzit më pak të aftë”, u tha Clooney gazetarëve në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ku po nderohet me Luanin e Artë për Arritje gjatë Gjithë Karrierës, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.
“Zgjedhjet e mesmandatit mbahen në nëntor dhe sigurisht që do të jenë një moment për të bërë bilancin. Nëse gjithçka shkon mirë, do t’i rikthehemi një situate më normale”, tha ai.
Clooney nuk e përmendi drejtpërdrejt presidentin amerikan Donald Trump, ndërsa diskutonte për situatën politike në vendin e tij.
Aktori kritikoi gjithashtu atë që e përshkroi si normalizim të mizorisë në diskursin publik, duke iu referuar një postimi në rrjetet sociale të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me gratë që shërbejnë në Forcat e Armatosura Kanadeze.
“Ideja se mizoria është në qendër dhe pjesë e argëtimit të botës… është vërtet absurde”, tha ai, duke e përshkruar situatën si një “kakistokraci”, term që përdoret për të përshkruar një qeverisje nga njerëzit më pak të kualifikuar ose më të këqij.
“Ku është ndjenja e njerëzillëkut? Ku ka shkuar ajo? Edhe këtë do ta kapërcejmë dhe do të dalim më të mirë”, shtoi aktori.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.