“Albin, eja në Kuvend, mos vono”, Çitaku: Kanë mbetur edhe pak orë, votojeni ligjin
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të shkojë në Kuvendin e Kosovës dhe të votojë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çitaku ka deklaruar se kanë mbetur vetëm pak orë për përmbylljen e procesit të votimit, duke u bërë thirrje Kurtit dhe deputetëve që e kanë mbështetur projektligjin në lexim të parë që të jenë të pranishëm në Kuvend.
“Albin, eja në Kuvend. Ndali lojërat. Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se kalkulimet politike ditore. Kanë mbetur edhe pak orë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se deputetët e PDK-së janë në Kuvend dhe se po presin kryeministrin dhe 91 deputetët që, sipas saj, e kanë votuar Projektligjin në lexim të parë.
“Ne jemi në Kuvend. Po ju presim, ju dhe të gjithë 91 deputetët që e votuan ligjin në lexim të parë. Eja dhe votoje ligjin”, ka deklaruar Çitaku.
Deputetja e PDK-së ka theksuar se votimi i Projektligjit, sipas saj, nuk duhet të shihet si favor ndaj një partie politike.
“Ky nuk është një favor për PDK-në. Është detyrim dhe nder për secilin prej nesh që ta mbrojmë UÇK-në, të kaluarën tonë dhe të ardhmen tonë”, ka shkruar ajo.
Në fund, Çitaku i ka bërë thirrje Kurtit që të mos vonojë dhe të marrë pjesë në votimin e Projektligjit.
“Mos vono më. Eja në Kuvend. Votoje ligjin. Pa vonesë”, ka përfunduar ajo./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.