Tiranë 18°C · Pjesërisht vranët 10 May 2026
S&P 500 7,399 ▲0.84%
DOW 49,609 ▲0.02%
NASDAQ 26,247 ▲1.71%
NAFTA 95.42 ▲0.64%
ARI 4,731 ▲0.42%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096
₿ CRYPTO
BTC $81,416 ▲ +0.66% ETH $2,361 ▲ +1.39% XRP $1.4819 ▲ +4.21% SOL $96.3600 ▲ +3.29%
S&P 500 7,399 ▲0.84 % DOW 49,609 ▲0.02 % NASDAQ 26,247 ▲1.71 % NAFTA 95.42 ▲0.64 % ARI 4,731 ▲0.42 % S&P 500 7,399 ▲0.84 % DOW 49,609 ▲0.02 % NASDAQ 26,247 ▲1.71 % NAFTA 95.42 ▲0.64 % ARI 4,731 ▲0.42 %
EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096 EUR/USD 1.1773 EUR/GBP 0.8644 EUR/CHF 0.9153 EUR/ALL 95.5205 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3992 EUR/TRY 53.4313 EUR/JPY 184.44 EUR/CAD 1.6096
10 May 2026
Breaking
Opinion

Ambasadori Gonzato është caktuar “armik në dispozicion” të Berishës

Nga Mero Baze

Në vitin 1995, Sali Berisha ishte në luftë me shumë media, përfshirë seksionin shqip të BBC. I kishte shpallur armiq shumicën e gazetarëve aty, disa si bashkëpunëtorë sigurimi e disa si bashkëpunëtorë të socialistëve.

Një personazh i njohur i kohës së komunizmit, me perspektivë ndoshta të bëhej dhe në vend të Ramiz Alisë dikur, ishte shumë i afërt me Berishën gjatë kohës që ai ishte president deri në vitin 1997 dhe i kishte marrë përsipër që të jepte një intervistë tek BBC, dhe t’i “dërrmonte” këta sigurimsa dhe komunistë të rinj.

Berisha na paralajmëroi se intervista e tmerrshme do përmbyste botën. Doli se intervista ishte një gjë bajate pa asnjë lajm brenda saj. Madje dhe e mërzitshme.

-Sikur nuk tha gjë ai, i tha kolegu im Ylli Rakipi. Ti na the do bëjë namin.

-Ylli, ja kanë hequr pjesët më të mira, i tha. Duhet sulmuar BBC si censuruese.

-Po pse ta sulmojmë, i tha Ylli. Ai le të na e japë neve intervistën dhe e botojmë të plotë, pastaj BBC turpërohet vetë nga ajo që ka bërë.

Pas kësaj, ai tipi u fsheh dhe nuk hapte më telefonin. Thjesht kishte gënjyer Berishën dhe kishte përdorur afërsinë me të të jepte dhe ai një intervistë tek BBC, duke e gënjyer se do bënte namin.

Pak a shumë kjo i ka ndodhur dhe me Bashkimin Evropian kohët e fundit. Disa deputetë të Berishës e mbajnë atë me shpresa se po bëjnë punë të madhe në Bruksel dhe sidomos në strukturat e Komisionit të Jashtëm përmes “celulës gjermane”, që të minojnë objektivin e Shqipërisë për mbylljen e negociatave. Në këtë aksion gjysmë imagjinar e gjysmë burokratik, janë përfshirë dhe ish-ministra të Ramës apo ish-bashkëpunëtorë të tij, të cilët “mbajnë të informuar shtypin” përditë se në Bruksel po bëhet nami kundër Shqipërisë.

Problemi më i madh është se Berisha e ka shijuar këtë gënjeshtër deri ditën që Komisioni foli zyrtarisht publikisht dhe ku kishte diferencë të madhe mes asaj që kanë gënjyer Berishën dhe shqiptarët dhe asaj që ka thënë Brukseli.

Këtu pastaj ata që mbajnë Berishën “me gajret” se do ta bllokojnë futjen e Shqipërisë në BE, kanë gjetur një armik të ri për t’u shfaqësuar vetë. I kanë shpjeguar se ky ambasadori Gonzato e ka fajin, pasi ai ka folur keq për Berishën, madje më me qejf sesa për Shqipërinë dhe kjo është e padurueshme sipas tyre.

Ndoshta ambasadori Gonzato nuk ka folur asnjë fjalë dhe nuk di gjë fare se çfarë kulisash ka në korridoret e Brukselit për të mbajtur me shpresë Berishën në Shqipëri. Ndoshta dhe mund të ketë dëgjuar ndonjë fjalë, por është e sigurt se ai është ambasadori më pro opozitar që Bashkimi Evropian ka pasur në Shqipëri dhe më kritiku me qeverinë në të gjitha kohërat.

Ai tani është viktimë e gënjeshtrës që Berishës po i pëlqente, që Brukseli do refuzojë Shqipërinë dhe që e gjithë kjo është arritur falë punës së palodhur të tij dhe deputetëve të tij kundër anëtarësimit të Shqipërisë.

Dhe meqë e vërteta është në dritë të diellit pas raportit të Komisionit Evropian, atij i duhej një armik. Dhe gjeti të vetmin aleat që opozita ka në Bruksel, ambasadorin Gonzato. Madje e akuzoi që ka shpifur dhe për të personalisht. E gjithë kjo është pjesë e teknologjisë së Berishës që për t’u shfajësuar para dështimeve të mëdha të personalizojë një çështje me një zyrtar. Kur u shpall “non grata” nga SHBA, e personalizoi sanksionin me Yuri Kim dhe Xhorxh Sorosin. Kur u sanksionua nga Britania e Madhe, e personalizoi me Lulzim Bashën. Kur u rrëzua nga pushteti më 1997, edhe me mbështetjen e SHBA-së, e personalizoi me Bill Klintonin, se gjithashtu ky s’i kishte dhënë një bazë ushtarake që ia kishte kërkuar, e kështu me radhë. E vetmja mënyrë si i bind ato delet e veta që ai nuk ka faj është të gjejë një armik personal dhe t’ua shpjegojë thjesht me punë inati.

Viktimë e kësaj teknologjie tani ka rënë ambasadori Gonzato. Ai thjesht është emëruar “armik në dispozicion” të Berishës.

Serioziteti me të cilin e kanë marrë të gjithë ambasadorët e BE-së në Shqipëri këtë sulm, është një harxhim i tepërt energjie, ngaqë nuk njohin hallin e Berishës. Mendojnë se vërtet ai ka ndonjë inat me Gonzaton. Ai ka inat pse BE nuk bën çfarë thotë ai kundër Shqipërisë dhe meqë nuk ua shpjegon dot dështimin e tij demokratëve, gjen një viktimë, në këtë rast një diplomat pro opozitar, dhe ua shpjegon me të. Kaq është e gjitha.

Ftoj diplomatët perëndimorë në Shqipëri të qetësohen. Ambasadorin Gonzato po ashtu. Nëse pini një kafe me Berishën, ua thotë dhe vetë që s’ka gjë me ju, por ashtu i duhet për të bindur të vetët se po e zbatojnë armiqtë e tij.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.