Ambasadorja Elvana Shala takohet me Princeshën e Jordanisë, diskutojnë bashkëpunimin me Kosovën
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, është pritur në një takim të veçantë në Romë nga Princesha e Jordanisë, Basma Bint Ali, e cila shërben si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).
Gjatë takimit, Shala e ka njoftuar princeshën për punën dhe angazhimin e saj, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta për kategoritë e margjinalizuara, të cilat përballen me barriera në qasjen ndaj edukimit dhe zhvillimit shoqëror.
Një pjesë e veçantë e bisedës iu kushtua mundësisë së hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Jordanisë, me fokus në edukimin gjithëpërfshirës, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e mundësive të reja për personat që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Sipas njoftimit, Princesha Basma Bint Ali shprehu interesim për këto iniciativa dhe për mundësitë e investimit në projekte që synojnë përmirësimin e qasjes në edukim dhe avancimin e përfshirjes sociale.
Ambasadorja Shala vlerësoi pritjen dhe gatishmërinë e shprehur nga princesha, duke theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të përkthehet në iniciativa konkrete që sjellin ndryshime pozitive në jetën e njerëzve, veçanërisht të atyre që kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe mundësi.
Në kuadër të bisedimeve, u shpreh vullneti për avancimin e shkëmbimeve ndërmjet Kosovës dhe Jordanisë, përfshirë mundësinë e vizitave të ardhshme të Princeshës Basma Bint Ali në Kosovë.
Vizitat do të mundësonin njohjen më të afërt me realitetin, potencialin dhe nevojat sociale të Kosovës, si dhe identifikimin e mundësive konkrete për zhvillimin e projekteve të përbashkëta./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.