“Ana tjetër e Valiasit”, dokumentari për kampin e internimit në Korça Film Fest
Dokumentari “Ana tjetër e Valiasit”, një prodhim i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), u shfaq në Festivalin Korça Film Fest, duke sjellë për publikun historinë e kampit të internimit dhe të punës së detyruar të Valiasit, gjatë regjimit komunist.
Përmes dokumenteve arkivore dhe dëshmive të të mbijetuarve, dokumentari, i realizuar nga Rovena Rrozhani dhe Dorian Zanaliu, pasqyron vuajtjet e familjeve të internuara, veçanërisht të grave dhe fëmijëve, të cilët u prekën nga politika e ndëshkimit kolektiv.
Gjatë aktivitetit, përfaqësues të AIDSSH-së, studiues, kineastë dhe dëshmitarë të historisë së internimit theksuan rëndësinë e dokumentimit të së kaluarës dhe përcjelljes së kujtesës historike te brezat e rinj.
Sipas dokumenteve arkivore, në vitin 1950, në kampin e Valiasit ndodheshin 820 të internuar, prej të cilëve 372 fëmijë. Të internuarit përballeshin me kushte të rënda jetese, mungesë uji të pastër dhe kufizime të lirisë. Kampi u mbyll në vitin 1952, ndërsa të internuarit u transferuan në kampe të tjera.
Dokumentari u prezantua për herë të parë në gusht të vitit 2025, në kuadër të aktivitetit përkujtimor “Valiasi – nga kamp në përkujtim”. Shfaqja në festivalin KO:SH Film Fest synon të nxisë reflektimin mbi pasojat e diktaturës komuniste, rëndësinë e kujtesës historike dhe respektimin e të drejtave të njeriut.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.