FOKUS – Estonia do të ndërtojë rreth 150 bunkerë pranë kufirit me Rusinë
TALIN, 29 tetor /ATSH -AA/ – Ministri i Mbrojtjes së Estonisë, Martin Herem ka bërë të ditur se vendi i tij planifikon të ndërtojë rreth 150 bunkerë në rajonin verilindor Ida-Virumaa, në kufi me Rusinë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar gatishmërinë mbrojtëse,
Sipas transmetuesit publik estonez ERR, rreth 100 bunkerë do të ndërtohen në toka shtetërore ndërsa afërsisht 50 të tjerë në prona private ose toka në pronësi të bashkive.
Herem nuk dha hollësi të tjera lidhur me bunkerët e planifikuar ose përdorimin e tyre të synuar.
Kjo nismë vjen në një kohë kur shtetet baltike po shtojnë masat mbrojtëse dhe po forcojnë gatishmërinë civile gjatë viteve të fundit, në përgjigje të shqetësimeve në rritje për sigurinë.
Zyrtarët e NATO-s kanë paralajmëruar për depërtimin e dronëve rusë, shkeljet e hapësirës ajrore, aktet e sabotimit dhe kërcënime të tjera hibride në të gjithë rajonin.
Edhe vendet evropiane po forcojnë mbrojtjen e tyre ajrore në përgjigje të sfidave në rritje të sigurisë.
Që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, NATO ka përforcuar krahun e saj lindor duke dislokuar trupa shtesë dhe duke përgatitur një plan reagimi të shpejtë.
Në fillim të këtij muaji, ushtria estoneze njoftoi planet për të zhvendosur përgjithmonë një brigadë të gatshme për luftim më pranë kufirit me Rusinë.
Brigada e parë pritet të zhvendoset në një bazë ushtarake të zgjeruar rishtazi, më pak se 50 kilometra nga kufiri, një veprim që synon të përmirësojë aftësinë e Estonisë për t’iu përgjigjur një sulmi të mundshëm rus.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.