“Antifa”, Tafani: Evropa nuk i sheh njësoj figurat e komunizmit me figurat e fashizmit
Analisti Endri Tafani ka analizuar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1, ndryshimin e qasjes në Evropë ndaj dy ideologjive totalitare, duke vënë në dukje se komunizmi trajtohet me një sy më të zbutur krahasuar me fashizmin dhe nazizmin, pavarësisht krimeve të ngjashme.
Sipas Tafanit, ndërsa fashizmi konsiderohet universalisht si një ideologji shkatërruese që duhet luftuar dhe parandaluar të ringjallet, për komunizmin nuk ekziston i njëjti konsensus i ashpër: “Në Evropë nuk trajtohen njëlloj si komunizmi, ashtu si fashizmi, siç është edhe këtu në Shqipëri. Ndërkohë që mendohet që fashizmi është ajo ideologji e cila me të drejtë si ideologji totalitare duhet luftuar dhe nuk duhet lënë që të ngjallet si ideologji sepse është shkatërruese, nuk është po i njëjti qëndrim mbi komunizmin.”
Ai sjell si shembull trajtimin e ndryshëm të figurave historike: Hitleri demonizohet plotësisht, ndërsa Stalinin, Mao Cedunin, Fidel Castron apo Che Guevarën Evropa i sheh shpesh me një sy më tolerant, pa i vendosur në të njëjtën kategori me nazizmin.
Tafani shpjegon se ky ndryshim ka rrënjë historike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas hyrjes së Bashkimit Sovjetik në luftë kundër Gjermanisë naziste, komunistët u bënë pjesë e frontit antifashist, gjë që u dha atyre njëfarë legjitimiteti në sytë e europianëve.
“Dhe faktikisht parulla që është tani ‘antifa’ i referohet pikërisht kësaj periudhe të komunizmit, po periudhës antifashiste”, theksoi ai.
Ky reputacion, sipas tij, krijoi rrënjë që më vonë çuan në lëvizje ekstreme të majta. Ai përmend si shembuj Brigadat e Kuqe në Itali dhe Rote Armee Fraktion (Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe) në Gjermani, të cilat kryen sulme terroriste.
“Ti ke pasur Rote Armee Fraktion që ka qenë në Gjermani, ke pasur Brigadat e Kuqe që kanë qenë në Itali, pra që kanë bërë sulme terroriste ndaj vendeve të ndryshme dhe aktorëve të ndryshëm.
Kurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo nuk zuri vend edhe për shkak se pati një… në SHBA nuk është se komunistët ishin ata që ishin në krye të rezistencës.
Lufta ndaj nazizmit u zhvillua në një kontekst tjetër dhe për më tepër pas Luftës së Dytë Botërore ke pasur një lëvizje si makartizmi e cila në një farë mënyre goditi gjithë ato elementë që mund të zhvilloheshin më vonë”, deklaroi më tej Tafani.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.