Ardit Bido: Projekti 4 miliardë euro në Zvërnec do ta kthejë Gjirin e Vlorës në elitë të Mesdheut
Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Ardit Bido ka mbrojtur sot në Kuvend projektin turistik prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec, duke e cilësuar si një mundësi historike për zhvillimin e Vlorës dhe për ta kthyer Gjirin në një destinacion elitar në Mesdhe.
Ai shpjegoi se protesta e ditëve të fundit përfshinte dy kategori të ndryshme, banorët që kërkojnë zgjidhjen e konfliktit të pronave dhe kundërshtarët e zhvillimit të zonës.
“Dua të flas sot me atë që pamë këto ditë në Zvërnec, duke nisur me një vlerësim për aktin e fundit të Ministrisë së Brendshme që dëgjoi thirrjen e Vlonjatëve për të hequr licencat e banditëve të cilët kishin uniformën e një policie private. Ato skena ishin të turpshme për Shqipërinë. Skena të tilla nuk pijnë ujë në Vlorë, përkundrazi prodhojnë më shumë reagim dhe inat.”
Ai shtoi se banorët e Zvërnecit kanë pretendime të hershme pronësore duke argumentuar se “Në protestë pamë dy kategori të ndryshme: banorët e Zvërnecit të cilët kanë një pretendim mbi pronësinë e tokës së tyre. Ata janë pro zhvillimit dhe duan që territori i Zvërnecit të zhvillohet dhe Vlora të kthehet në një pikë turistike elitare siç i takon Shqipërisë. Ata pretendojnë se prona nuk i takon Shehit të Kaninës siç është marrë vendim nga Agjensia e Kthimit të Pronave në vitin 2009, por se i takon fisit Balliu, që ka një pretendim pronësor që në vitin ’30.”
Deputeti socialist shtoi se banorët kanë të drejtë të protestojnë për pronën e tyre, por jo për të bllokuar zhvillimin.
“Ata kanë të drejtë që protestojnë sepse kanë një kalvar gjyqesh të padrejta prej akteve të paformësuara siç duhet ligjërisht nga një administratë që nuk dinte çfarë bënte me pronat. Ata kanë të drejtë të protestojnë sepse protestojnë për pronën që pretendojnë se është e tyre. Të drejtën e kanë ama.”
Më tej ai shtoi se, ishte dhe kategoria e atyre që thonë se janë anti-oligarkë dhe që nuk duan asnjë lloj zhvillimi në asnjë lloj forme, apo ambientalistët që duan ta lënë Nartën si një tokë të paprekur.
“Pse të mos zhvillohemi? Pse të mos jemi si Greqia, Italia, Kroacia, Mali i Zi? Pse të mos vijnë këtu 4 miliardë euro investim? Përse të mos kthehet Gjiri i Vlorës si pika më e rëndësishme turistike përtej Shqipërisë?”
Ai ngriti gjithashtu pyetje për praninë e protestuesve të ardhur nga Greqia dhe deklaratat e Fredi Belerit për Zvërnecin dhe Nartën.
“Kam disa pyetje ndaj Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme: 3 autobuzët që erdhën nga Greqia përse nuk i deklarojnë? Kush i nxiti këto autobuzë? Shumica ishin banorë të zonës por shumë nuk ishin. Doli Fredi Beleri që kërkoi për minoritetin grek në Zvërnec dhe Nartë që sipas tij po iu hiqen të drejtat. Nuk janë tek kategoria e parë që duan zhvillimin por janë te kategoria e dytë që Zvërneci të mos zhvillohet.”
“Çuarja deri në fund e këtij investimi në Zvërnec është certifikimi i hapit përfundimtar të vizionit tonë ‘Shqipëria 2030’, për një vend anëtar në BE dhe pjesë të ligës së kampionëve në turizëm. Gjiri i Vlorës ka potencialin të kthehet në gjirin më të rëndësishëm elitar turistik të Mesdheut.”- përfundoi fjalën Bido.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.