“Armë, pistoleta, municione”, Operacioni policor në Tiranë, çmontohet grupi i trafikut të armëve (EMRAT)
Këtë të mërkurë, një operacion i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ka çuar në arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, të dyshuar si pjesë e një grupi që merrej me sigurimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit luftarak.
Në kuadër të operacionit të koduar “Rrjeti”, u ndaluan shtetasit Marsel Varka, 35 vjeç, Elsaed Maqinaj, 25 vjeç, Fabian Zako, 29 vjeç dhe Kristaq Biba, 32 vjeç. Ndërkohë, policia shpalli në kërkim Kevin Vila, 21 vjeç dhe Bledar Avdillari, 28 vjeç.
Sipas hetimeve, gjashtë personat e identifikuar në këtë fazë të operacionit vepronin në bashkëpunim me Donati Jakun, Florian Gjetën, Urim Metën, Ligor Mehmetin dhe Klodian Mustafën, të arrestuar më herët gjatë të njëjtit hetim.
Autoritetet dyshojnë se grupi i organizuar kriminal siguronte dhe shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë kontrolleve të kryera, policia sekuestroi 7 armë zjarri, konkretisht 4 pistoleta dhe 3 automatikë, si dhe municion luftarak dhe prova të tjera materiale.
Sipas Policisë, gjatë gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve të ndërmarra për goditjen e këtij grupi, janë arrestuar gjithsej 9 persona, ndërsa janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi të mëdha municioni, 4 automjete dhe 13 telefona celularë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale, ndërsa puna vazhdon edhe për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.