Arrestohet në aeroportin e Beogradit një 21-vjeçar nga Uzbekistani, dyshohet se i ofroi mito policit kufitar
Policia serbe ka arrestuar në aeroportin "Nikola Tesla" të Beogradit një shtetas 21-vjeçar të Uzbekistanit, i dyshuar se gjatë kontrollit kufitar në dalje nga Serbia i ofroi para një polici për të mos kryer veprimin zyrtar që ishte i detyruar ta kryente.
Një shtetas 21-vjeçar i Uzbekistanit është arrestuar në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, nën dyshimin se i ka ofruar mito një polici kufitar. Siç njofton portali SNM, duke iu referuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuari me inicialet S. I. u ndalua gjatë kontrollit të rregullt kufitar, në dalje nga vendi.
Sipas komunikatës së policisë, të cilën e përcjell SNM, gjatë kontrollit i riu i ofroi para policit të Drejtorisë së Policisë Kufitare, që ai të mos kryente veprimin zyrtar që ishte i detyruar ta kryente.
Arrestimi u krye nga pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe me urdhër të Departamentit të Posaçëm për Luftimin e Korrupsionit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd. Vepra për të cilën dyshohet 21-vjeçari është ajo e dhënies së mitos.
Të dyshuarit iu caktua masa e ndalimit deri në 48 orë. Pas përfundimit të kësaj mase, ai do të dërgohet, bashkë me kallëzimin penal, te prokurori kompetent i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, për procedim të mëtejshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.