Arrestohet në Nju Jork aktorja e Hollivudit, protestonte kundër Netanyahut
Fituesja e çmimit Oscar, Susan Sarandon dhe ylli i “Hacks”, Hannah Einbinder, ishin midis personave të arrestuar në një protestë kundër Benjamin Netanyahut në Nju Jork të enjten.
Pamjet nga agjencia France Press (AFP) tregojnë anëtarë të policisë së Nju Jorkut duke i vënë prangat yllit të “Thelma dhe Louise”, ndërsa kryeministri izraelit përgatitet të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Hannah Einbinder ishte gjithashtu në protestë, së bashku me yllin e “Saturday Night Live”, Sarah Sherman.
Protesta u organizua nga grupi “Zëri Hebraik për Paqe” dhe demonstruesit mbanin pankarta me mesazhet: “Ndalo armatosjen e Izraelit” dhe “Ndalo gjenocidin”.
Një zëdhënëse e NYPD tha se oficerët po i përgjigjeshin raportimeve për një “protestë të panjoftuar” gjatë së cilës pjesëmarrësit bllokuan kryqëzimin.
“Anëtarët e Byrosë së Marrëdhënieve me Komunitetin të NYPD-së lëshuan paralajmërime dhe i këshilluan pjesëmarrësit të largoheshin nga zona e grumbullimit. Ata vazhduan të bllokonin kryqëzimin. Disa individë që nuk iu bindën urdhrave u morën në paraburgim”, tha zëdhënësja, pa specifikuar numrin e përgjithshëm të arrestimeve.
Midis të ndaluarve ishin kandidatja demokrate për në kongres, Darializa Avila Chevallier, dhe anëtarja e Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, Chi Osa.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.