FRANCË – Papa Leone në mbrojtje të shtypit të lirë pas ndalimit të medieve në Shtëpinë e Bardhë
PARIS, 25 shtator /ATSH-DPA/- Papa Leone XIV theksoi sot rëndësinë e gazetarisë së mirë, gjatë fluturimit të tij drejt Parisit, pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar disa media të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për problemet me të cilat po përballen kolegët e tij të CNN në Uashington, papa Leone, i lindur në SHBA, tha se ishte i kënaqur që në avionin e tij të gjithë gazetarët ishin të mirëpritur.
“Jam shumë i lumtur që këtu jeni të gjithë të mirëpritur”, tha ai.
Më pas shtoi se është shumë e rëndësishme që të ketë raportim të mirë dhe të drejtë për të gjithë.
Javën e kaluar, Trump ndaloi hyrjen në rezidencën zyrtare presidenciale të transmetuesve CNN dhe MS NOW, si edhe të faqes së lajmeve “Politico”, duke i akuzuar për përhapjen e lajmeve të rreme.
Kritikët e kanë cilësuar këtë vendim si sulm ndaj lirisë së medias, e cila mbrohet nga Kushtetuta e SHBA-së, dhe si një përpjekje për të frikësuar shtypin.
Pas një padie të ngritur nga këto media, një gjykatës vendosi që ato duhet të lejohen përkohësisht të rikthehen në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëdhëniet mes papa Leones XIV dhe Trump konsiderohen të tensionuara.
Papa, i cili është amerikan, ka kritikuar në të kaluarën disa veprime të presidentit amerikan.
Trump e ka sulmuar publikisht disa herë, pasi papa Leone kritikoi luftën në Iran në fillim të këtij viti.
Presidenti amerikan, gjithashtu publikoi një pikturë ku paraqitej në një imazh që imitonte figurën e Krishtit, por më vonë e fshiu atë.
Papa Leone XIV ka udhëtuar drejt Francës për një vizitë katërditore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.