Ekspozita

Arthur Miller dhe Merlin Monro, nën aparatin e Gjon Milit

Biblioteka Kombëtare sjell në një ekspozitë librat e ardhur në shqip nga dramaturgu i njohur amerikan, Arthur Miller, në 100-vjetorin e lindjes, duke i kushtuar vëmendje dhe miqësisë së tij me artisin shqiptar.

Merlin Monro ka veshur një peliçe të bardhë, me flokët e kapura me një karficë, teksa i buzëqesh aparatit të Gjon Milit, e ulur në Metropolitan Opera më vitin 1959. Përkrah saj, i veshur me një kostum të zi, e këmishë të bardhë, në portretin e të cilit dallohen syzet është bashkëshorti i saj, dramaturgu i njohur, Arthur Miller. Çifti e ka bërë këtë foto vetëm dy vjet para ndarjes që do të vinte më vitin 1961, në premierën e Makbethit. Kjo fotografi e realizuar nga artisti i njohur shqiptar, Gjon Mili, është vetëm një prej dhjetëra negativëve ku është fiksuar jeta e një prej çifteve më të njohura të Amerikën e viteve ’60. Mik i ngushtë i Miller, Gjon Mili ka qenë i pranishëm në momente të ndryshme private të jetës së çiftit, duke fokusuar në aparat momente që sjellin një dimension tjetër njerëzor të Miller dhe Monro. Mili është një prej fotografëve që ka fotografuar dhe dasmën e tyre. Në një prej fotove çifti shfaqet duke kërcyer pas një mbrëmjeje që duket se ka qenë e mbushur jo vetëm me muzikë, por edhe alkool. Në një tjetër foto ata shfaqen të dy në errësirën të mbështetur pas një peme. Fotot e realizuara nga Gjon Mili nuk janë thjesht fotografi. Ato mbartin brenda dhe historinë e dy personazheve, duke futur elemente të karakterit të tyre. Nuk mungon drita aq e përdorur nga Mili, në një pjesë të fotografive. Arthur Miller i besonte Gjon Milit, jo thjesht fotografitë e momenteve private, por dhe kopertinat e librave të tij. Ata nuk ishin thjesht dy bashkëpunëtorë, por dhe dy miq që ndanin koncepte të përbashkëta për artin në ato vite. Kopertina e librit “The crucible” më 1953 është realizuar me një fotografi të artistit shqiptar. Emrat e Milit dhe Miller shfaqen bashkë dhe në diskutime të ndryshme që janë bërë për teatrin në SHBA-në e atyre viteve. Në veprën e tij “Timebends” (1987), Miller shkruan kështu për artistin shqiptar: “Aty nga fundi i jetës së tij, nja njëzet e ca vite më vonë, Gjoni filloi të më fliste gjithnjë e më shpesh për nënën, porositë e së cilës sipas tij i kishte akoma të nevojshme. Edhe pse i kishte kaluar tashmë të shtatëdhjetat, ai donte që të kishte ende sukses në Amerikë, me qëllim që nëna e tij, nja nëntëdhjetë e kusur vjeç, të mund të mburrej me djalin e saj atje larg, diku në malet e izoluara të Shqipërisë”. Në 100-vjetorin e lindjes së Arthur Miller, Biblioteka Kombëtare organizoi dje një ekspozitë me ekzemplarë të veprave të tij të ardhur në gjuhën shqipe. Miller, u përket atyre autorëve që kanë ardhur herët për lexuesin shqiptar. Në këtë ekspozitë u prezantua për herë të parë një pjesë e krijimtarisë së tij në gjuhën shqipe, por edhe të huaj si, “Pamje nga ura” (2012), “Ngjarja në Vishi” (1973), “Shtrigat e Salemit” (1973), “Les Sourcières de Salem : suivi de Vu du pont”, (1959), “I don’t need you any more:  stories” (1967) etj., si dhe një sërë artikujsh kritikë të botuar ndër vite në shtypin shqiptar. Një vend të veçantë në ekspozitë zinte dhe miqësia e ngushtë e Arthur Millerit me fotografin e famshëm shqiptar, Gjon Milli. Fituesi i çmimit Pulitzer më 1949, dramaturgu Arthur Miller, është ndër të paktë autorë, vepra e të cilit ndonëse kishte përplasje me ideologjinë komuniste, do të përkthehej dhe ngjitej në skenën e teatrit shqiptar. Artur Miller (1915-2005), i lindur në New York, SHBA, do të konsiderohet edhe si përfaqësuesi më i rëndësishëm i realizmit psikologjik amerikan. Ai do të vlerësohej më 2001 me çmimin “Praemium Imperiale” akorduar nga familja perandorake e Japonisë, si dhe në vitin 2003 me Çmimin e Jerusalemit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button